1 Himn i Davidit.
Lum kujt iu fal faji,
që mëkati iu mbulua.
2 Lum njeriu, që Zoti nuk e gjykon fajtor,
në shpirtin e të cilit nuk ka dredhi.
3 Unë heshtja e kockat po më treteshin,
rënkoja gjithë ditën.
4 Dora jote rëndonte mbi mua ditë e natë,
fuqia po më mpakej si në zhegun e verës. selah
5 Atëherë të dëfteva mëkatin tim
e fajin tim nuk ta fsheha.
Thashë: «Do t'ia rrëfej paudhësitë Zotit»;
ti e fale fajin e mëkatin tim. selah
6 Le të të lutet për këtë çdo besnik
në kohë mundimesh të mëdha
dhe vërshimi i ujërave përmbytës
nuk ka për ta zënë.
7 Ti je vendstrehimi im,
ti më ruan prej fatkeqësisë
e me brohori shpëtimi më rrethon. selah
8 «Do të të jap mençuri
e udhën, ku duhet të ecësh, do të ta mësoj,
do të të jap këshilla
e sytë mbi ty do t'i mbaj».
9 Mos u bëni si kali a si mushka, që s'kanë mend,
kapistër e fre lypset për t'i mbajtur,
që mos të të afrohen .
10 Të shumta janë mundimet e të paudhit,
por kush beson në Zotin rrethohet me mirësi.
11 Gëzohuni në Zotin e ngazëlleni, o të drejtë!
Brohoritni të gjithë ju, o zemërdrejtë!
Psallm’ e Dhavidhit. Mashhilll.
1 Lum kujt iu ndëjyenë pa-udhëritë, edhe iu mbuluanë fajetë.
2 Lum ay njieri, që nuk do t’i numëronjë faj Zoti, edhe s’ka gënjeshtrë ndë gojët t’ati.
3 Sepse pushova, u vietëruan eshtërat’ e mia prej klithmësë s’ime gjithë ditënë,
4 sepse nat’ e ditë u rëndua dora jote mbi mua, lagësira ime u kthye mbë thatësirë vere. Sellah.
5 Fajnë tim ta dëfteva, edhe pa-udhërinë t’ime nuk e fsheha; thashë: Do t’i rrëfenj Zotit pa-udhërinë time, edhe ti fale pa-besërin’ e zëmrësë s’ime. Sellah.
6 Për këtë çdo i drejtë do të të faletë ndë kohë që duhetë, po ndë përmbytëje shumë ujërash, nukë do t’i piekënë.
7 Ti je mpshtetëja ime, do të më ruanjç prej shtrëngimit, do të më qarkonjç me gëzim shpëtimi. Sellah.
8 Do të t’ap mënt, edhe do të të mpsonj nd’atë udhë që do të ecënjç: do të ngul sytë mbë ty.
9 Mos u bëni si kalë, e si mushkë, që s’kanë mënt, të cilavet goja duhetë t’u mbahetë me gojëzë e me fre, (tiatrazi) nukë do të afroneshinë te ti.
10 Frushkullat’ e fajtorit (janë) shumë, po atë që shpëren mbë Zonë, do ta qarkonjë përdëllim.
11 Gëzohuni për Zotnë, edhe ngazëllohuni, o të drejtë, edhe mburruni, gjithë zëmrë-drejtëtë.