1 Psalm i Davidit.
Ty të thërras, o Zot,
shkëmbi im, mos hesht ndaj meje.
Po heshte ndaj meje,
do të bëhem si ata që zbresin në gropë.
2 Dëgjoje zërin e përgjërimit tim,
kur të thërras për ndihmë,
kur duart i ngre drejt shenjtërores sate të shenjtë.
3 Mos më hiq zvarrë edhe mua si të paudhët,
si ata që të keqen bëjnë,
që për paqe flasin me të afërtit,
por në zemër bluajnë ligësi.
4 Shpërbleji sipas veprave të tyre,
sipas veprimeve të tyre të liga.
Shpërbleji sipas veprave të duarve të tyre,
jepu shpagimin që meritojnë,
5 se i shpërfillin veprat e Zotit
dhe punët e duarve të tij.
Ai i rrënoftë e më mos i ngrittë!
6 Bekuar qoftë Zoti,
se e dëgjoi zërin e përgjërimit tim!
7 Zoti është fuqia dhe mburoja ime,
në të shpreson zemra ime,
tek ai gjeta ndihmë.
Ndaj ngazëllen zemra ime,
me këngë e falënderoj.
8 Zoti është fuqia e popullit të tij,
strehë shpëtimi për të vajosurin e vet.
9 Shpëtoje popullin tënd,
bekoje trashëgimin tënd!
Ji bariu i tyre
e lartësoji deri në amshim!
Psallm’ e Dhavidhit.
1 Mbë ty do të thërres, o Zot, shkëmbi em: mos hesht prej meje, mos hesht ndonjë herë prej meje, sepse do t’u përgjanj atyreve që cbresënë ndë gropë.
2 Ndigjo zën’ e lutëjesë s’ime, kur thërres mbë ty, kur ngre duart’ e mia ndë kishë tënde të shënjtëruarënë.
3 Mos më hiq bashkë me fajtorët, edhe mos më prish bashkë me ata që punonjënë pa udhë, të cilëtë flasënë paqtim me të afërmit’ e tyre, (po kanë) të keqe ndë zëmrat të tyre.
4 Ep-u atyreve pas punëve atyre, edhe pas së keqesë të punuaravet atyre, pas punëvet duaret atyre, ep-u atyreve; ep-u atyreve çpagimn’ e atyreve.
5 Se nukë mbanë vesh punëvet Zotit, edhe punëvet duaret ati, do t’i rrëzonjë ata, edhe nukë do t’i ngrerë më.
6 I bekuarë (qoftë) Zoti, se ndigjoi zën’ e lutëjesë s’ime.
7 Zoti është fuqia ime, edhe mburonjësi im; zëmra ime shpëreu mb’atë, edhe gjeta ndihmë, përandaj u gëzua zëmra ime, edhe me kënkët’ e mia do t’e lavduronj.
8 Zoti është fuqi e llauzit ti, edhe është mburonjës i shpëtimit të lyerit ti.
9 Shpëto llausnë tënt dhe beko trashëgimnë tënt, edhe kullot ata, edhe larto ata për gjithë jetënë.