1 Psalm i Davidit.
E Zotit është toka
dhe gjithçka gjendet në të,
bota me gjithë banorët e saj.
2 Themelet e saj mbi dete i vuri,
mbi lumenj e ngriti.
3 Kush do të ngjitet në malin e Zotit?
Kush do të qëndrojë në vendin e tij të shenjtë?
4 Ai që ka duar të pafajshme
e zemër të pastër,
që nuk jepet me shpirt pas kotësive
e nuk bën betim të rremë.
5 Ai do të marrë bekim prej Zotit,
drejtësi prej Perëndisë, shpëtimtarit të tij.
6 E tillë është breznia e atyre që e kërkojnë,
që kërkojnë fytyrën e Perëndisë së Jakobit. selah
7 Ngrijini, o porta, ballinat tuaja!
Lartësohuni, o dyer të amshuara,
që të hyjë mbreti i Lavdisë!
8 Kush është ky mbreti i Lavdisë?
Është Zoti i fortë e i fuqishëm,
është Zoti i fuqishëm në betejë!
9 Ngrijini, o porta, ballinat tuaja!
Lartësohuni, o dyer të amshuara,
që të hyjë mbreti i Lavdisë!
10 Kush është ky mbreti i Lavdisë?
Zoti i ushtrive, ai është mbreti i Lavdisë! selah
Psallm’ e Dhavidhit.
1 Dheu ësht’ i Zotit, edhe të mbushurit’ e ati, bota, edhe gjithë ata që rrinë nd’atë.
2 Sepse ai themeloi atë mbi detëra, edhe e qëndroi mbi lumëra.
3 Kush do të hipënjë ndë malt të Zotit? A kush do të rrijë ndë vënt t’ati të shënjtëruarinë?
4 I pa-faji ndë duart, edhe i këthiellëti ndë zëmërët, i cili nukë mori shpirtin’ e ti mbë të kotë, edhe nuk’ u betua mbë të rrem.
5 Ky do të marrë bekim prej Zotit, edhe përdëllesë prej Perëndisë Shpëtimtarit ti.
6 Ky është brezi atyreve që kërkonjënë Zotnë, që kërkonjënë faqen’ e Perëndisë Jakovit. Sellah.
7 Ngreni kryetë tuajt tuaj, o dyer, edhe lartohuni, o dyer të përjetëshime, se do të hynjë Mbëreti lavdisë.
8 Cili është kyj Mbëreti lavdisë? Zot i fortë edhe i fuqiçim, Zot’ i fuqiçim ndë luftë.
9 Ngreni kryetë tuaj, o dyer, edhe lartohuni, o dyer të përjetëshime, se do të hynjë Mbëreti lavdisë.
10 Cili është kyj Mbëreti lavdisë? Zoti i fuqivet: ay është Mbëreti lavdisë. Sellah.