1 Aleluja.
Lavdëroni Zotin prej qiejve,
lavdërojeni në lartësi.
2 Lavdërojeni të gjithë ju, engjëjt e tij,
lavdërojeni të gjitha ju, ushtritë e tij.
3 Lavdërojeni, o diell dhe hënë,
lavdërojeni të gjithë ju, yje vezullues.
4 Lavdërojeni, o qiejt e qiejve,
e ju ujërat përmbi qiej.
5 Le të lavdërojnë emrin e Zotit,
se ai urdhëroi e ato u krijuan.
6 U caktoi vendin përjetë e në amshim,
u dha ligje që nuk do t'i shkelin.
7 Lavdëroni Zotin nga toka,
ju përbindëshat e detit e gjithë humnerat,
8 zjarri e breshri, dëbora e mjegulla,
era e stuhishme, që zbaton fjalën e tij,
9 malet e mbarë kodrat,
pemët frutore e të gjithë cedrat,
10 egërsirat e mbarë bagëtitë,
zvarranikët e shpendët me flatra,
11 mbretërit e tokës e mbarë popujt,
princat e të gjithë sunduesit e tokës,
12 djemtë e vajzat,
pleqtë e të rinjtë.
13 Le të lavdërojnë emrin e Zotit,
se vetëm emri i tij është i madhërishëm,
madhështia e tij tejkalon tokë e qiell.
14 Ai i jep forcë popullit të vet,
lavdi të gjithë besnikëve të tij,
bijve të Izraelit, popullit që ka pranë.
Aleluja!
1 Allilluja. Lavduroni Zonë prej qiejsh, lavduroni atë ndë të lartat.
2 Lavduroni atë, gjith’ ëngjëjt’ e ati, lavduroni atë, gjithë fuqit’ e ati.
3 Lavduroni atë, o diellë edhe hënë, lavduroni atë, gjithë yjt’ e dritësë.
4 Lavduroni atë, qiejt’ e qiejet, edhe ujëtë që është përmbi qiejet.
5 Le të lavduronjën’ emërin’ e Zotit, se ay urdhëroi, edhe u krijuanë;
6 edhe forcoi ato për gjithë jetënë; edhe për gjithë jetën’ e jetësë, bëri urdhërë, që s’ka për të shkuarë.
7 Lavduroni Zonë prej dheut, drangonjtë edhe gjith’ avyssatë.
8 Ziar e breshërë, dborë edhe avullë, erë e fortë që bën fjalën’ e ati,
9 maletë edhe gjithë kodratë, drurëtë që bëni pemë, edhe gjithë dëllinjatë,
10 egërsiratë edhe gjithë bagëtitë, shtërpenj edhe shpes fluturakë,
11 mbëretrit’ e dheut, edhe gjithë llauzetë, të parëtë, edhe gjithë gjykatësit’ e dheut,
12 dialoshë edhe vashazë, pleq bashkë me të rinj.
13 Le të lavduronjën’ emërin’ e Zotit, se vetëmë emër’ i ati u lartua, lavduri e ati është mbi dhet edhe mbi qiellt.
14 Edhe ay i ngriti bri llauzit ti, lavdurim për gjithë të drejtët’ e ti, për të bijt e Israillit, llauzit që është ngjat ati.