1 Aleluja.
Është mirë t'i këndojmë himne Perëndisë tonë,
është e këndshme dhe e hijshme ta lavdërojmë.
2 Është Zoti që e ndërton sërish Jerusalemin
dhe të mërguarit e Izraelit i mbledh tok.
3 Ai i shëron zemërthyerit
dhe plagët e tyre i lidh.
4 Numrin e yjeve ai e njeh,
i thërret të gjithë me emër.
5 I madh është Zoti ynë,
e madhe fuqia e tij,
e pakufishme mençuria e tij.
6 Zoti i lartëson të mjerët,
ndërsa të paudhët i rrëzon përdhe.
7 Këndojini Zotit me falënderim,
këndojini himne me harpë Perëndisë tonë!
8 Ai e mbulon qiellin me re,
ai i përgatit shiun tokës,
ai bën të mbijë bari maleve.
9 Ai ua jep ushqimin bagëtive
dhe zogjve të korbit, kur krakëllijnë.
10 Fuqinë e kalit nuk e vlerëson
e as kënaqet me pulpat e trimit.
11 Zotit i pëlqejnë ata që e druajnë,
ata që shpresojnë në mirësinë e tij.
12 Përlëvdoje Zotin, o Jerusalem,
lavdëroje Perëndinë tënd, o Sion!
13 Se shulat e portave të tua i forcoi,
bijtë e tu i bekoi në gjirin tënd.
14 Ai i ruan trojet e tua në paqe,
ai të ngin me grurin më të mirë.
15 Urdhër ai dërgon mbi tokë,
fjala e tij përhapet me shpejtësi.
16 Borën e hedh porsi lesh,
brymën e derdh porsi hi.
17 Breshrin e lëshon si thërrime,
kush i bën ballë të ftohtit të tij?
18 Dërgon fjalën e tij dhe i shkrin,
lëshon erën dhe ujërat rrjedhin.
19 Fjalën e tij ia kumton Jakobit,
rregullat dhe vendimet e tij, Izraelit.
20 Nuk veproi kështu me asnjë komb
dhe vendimet e tij ata nuk i njohin.
Aleluja!
1 Lavduroni Zonë, se është mirë t’i psallmë Perëndisë t’ynë, se ësht’ e pëlqyershime lavduria, që i ka hije.
2 Zoti ndërton Jerusallimnë, do të përmbëledhë të përndarët’ e Israillit.
3 Shëron zëmërë-thyerëtë, edhe u lith plagëtë.
4 Numëron të shumëtët’ e yjet, edhe thërret të gjithë mbë emërë.
5 Zoti ynë është’ i math, edhe fuqi’ e ati ësht’ e madhe; mëndeja e ati ësht’ e pa-maturë.
6 Zoti ngre të butëtë, edhe përgjunj fajtorëtë gjer për dhe.
7 Këndoni Zotit duke lavduruarë, psallni Perëndisë t’ynë me qitharë,
8 ati që mbulon qiellnë me re, ati që bën gati shi për dhenë, atë që bën të mbinjë bar ndë malet,
9 ati që ep bagëtisë të ngrënët’ e atyre, edhe zogjet korbavet që thërresënë mb’atë.
10 Nukë gëzonetë për fuqin’ e kalit, as nuk’ i pëlqenjënë shalët’ e njieriut.
11 Zoti pëlqen ata që i kanë frikë, edhe që shpërenjënë mbë përdëllimt të ati
12 Lavduro, o Jerusallimë, Zonë, lavduro Perëndinë tënt, o Sionë,
13 se forcoi shulet’ e dyeret tua, bekoj bijt’ e tu nde ti.
14 Vë paqtim ndë sinoret të tu, të ngin me të majturit e grurit.
15 Dërgon urdhërin’ e ti dheut, fjala e ati suletë shpejt.
16 Ep dborë posi lesh, mbiell brymënë posi hi.
17 Heth akullin’ e ti posi copëra; përpara të ftohëtit ati kush mund të qëndronjë?
18 Dërgon fjalën’ e ti, edhe i çkrin, fryn erën’ e ti, edhe ujëratë ecënjënë,
19 dëften’ fjalën’ e ti Jakovit, urdhëratatë edhe gjyqet’ e tia Israillit.
20 Nukë bëri kështu mbë ndonjë komp, as nukë ngjohnë gjyqet’ e ati. Allilluja.