1 E dua Zotin,
se ai e dëgjon zërin e përgjërimit tim.
2 Veshin drejt meje ai e ul,
prandaj do ta thërras çdo ditë.
3 Më kishin rrethuar litarët e vdekjes,
më kishin zënë tmerret e skëterrës,
fatkeqësia e dhimbja më kishin plandosur.
4 Atëherë thirra emrin e Zotit:
«O Zot, shpëtoje shpirtin tim!».
5 I mëshirshëm është Zoti dhe i drejtë,
Perëndia ynë është përdëllyes.
6 Zoti mbron njerëzit e thjeshtë;
poshtë kisha rënë e më shpëtoi.
7 Kthehu, o shpirti im, në prehjen tënde,
se Zoti është treguar i mirë me ty.
8 Ti ma shpëtove jetën nga vdekja,
sytë nga lotët e këmbën nga rrëshqitja.
9 Do të eci në praninë e Zotit,
në tokën e të gjallëve.
10 Besoj, edhe kur them:
«Jam shumë i pikëlluar!».
11 Në pështjellimin tim thashë:
«Mashtrues është çdo njeri!».
12 Si do t'ia shpërblej Zotit
gjithë të mirat që më bëri?
13 Kupën e shpëtimit do të ngre
dhe emrin e Zotit do të thërras.
14 Premtimet që i bëra Zotit do t'i përmbush
para gjithë popullit të tij.
15 E çmuar është në sytë e Zotit
vdekja e besnikëve të tij.
16 Unë, o Zot, jam shërbëtori yt,
shërbëtori yt e biri i shërbëtores sate,
vargonjtë e mi ti i këpute.
17 Ty do të të kushtoj fli falënderimi
dhe emrin e Zotit do të thërras.
18 Premtimet që i bëra Zotit do t'i përmbush
para gjithë popullit të tij,
19 në oborret e shtëpisë së Zotit,
në mesin tënd, o Jerusalem!
Aleluja!
1 Gëzonem, se Zoti ndigjoi zën’ e lutëjesë s’ime,
2 se uli veshin’ e ti ndek unë, edhe gjithë ditt’ e jetësë s’ime do të thërres (mb’atë).
3 Më qarkuanë të dhëmbura vdekëje, edhe më gjetnë shtrëngime varri; gjeta shtrëngim e të dhëmburë.
4 Edhe thirra mb’emërit të Zotit: O Zot, shpëto shpirtinë tim.
5 Zoti është’ i përdëllyeshim e i drejtë, edhe Perëndia ynë përdëllyen.
6 Zoti ruan të mituritë; u përgjunjçë, edhe më shpëtoi.
7 Kthehu, o shpirti im, ndë të prënjturit tat, se Zoti të bëri mirë.
8 Se shpëtove shpirtinë t’im prej vdekëjesë, syt’ e mi prej loç, edhe këmbët’ e mia prej të shkari.
9 Do të ecënj përpara Zotit ndë dhe të gjallëvet.
10 Besova, përandaj fola; un’ u përgjunjçë fort,
11 edhe unë thashë ndë tëmerimt t’im: Çdo njieri është rremës.
12 Çë çpërblim t’i ap Zotit për gjithë ato të mirat që më bëri?
13 Do të mar qeftin’ e shpëtimit, edhe do të thërres mb’emërit të Zotit.
14 Do t’i ap Zotit uratat’ e mia, përpara gjithë llauzit ati.
15 Vdekëja e të drejtëvet ati ësht’ e nderçime përpara Zotit.
16 O Zot, unë jam shërbëtori yt, edhe i biri shërbëtoresë s’ate, ti cgjidhe të lidhurat’ e mia.
17 Ty do të të bënj kurban lavdurimi, edhe mb’emërit të Zotit do të thërres.
18 Do t’i ap Zotit uratat’ e mia, përpara gjithë llauzit ati,
19 ndë hoborë të shtëpisë Zotit, ndë mes teje, o Jerusallimë. Allilluja.