1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
O Perëndi, lavdi im,
mos hesht!
2 Se goja e të paudhit dhe goja e mashtruesit
është hapur kundër meje,
kanë folur kundër meje
me gjuhë gënjeshtare.
3 Më kanë rrethuar me fjalë urrejtjeje,
më kanë sulmuar pa shkak.
4 Dashurisë sime i përgjigjen me padi,
por unë veç lutem.
5 Të mirën ma kthejnë me të keqe,
dashurinë ma shpërblejnë me urrejtje.
6 «Cakto një të paudhë mbi të», thonë,
«Një paditës, që t'i rrijë në të djathtë.
7 Daltë fajtor kur ta gjykojnë,
lutja iu ktheftë në mëkat.
8 Qofshin të pakta ditët e tij,
vendin e tij e zëntë një tjetër.
9 Bijtë e tij mbetshin jetimë
dhe gruaja e tij vejushë.
10 Iu bëfshin bijtë endacakë e lypsarë,
rrëmofshin larg rrënojave të tyre.
11 Pasurinë ia marrtë huadhënësi,
të huajt e përlafshin mundin e tij.
12 Askush mos tregoftë mirësi për të,
askujt mos iu dhimbshin jetimët e tij.
13 Pasardhësit e tij u shfarosshin,
u shoftë emri i tyre pas një breznie.
14 E kujtoftë Zoti paudhësinë e etërve të tij,
mëkatin e nënës së tij mos e shleftë.
15 Para syve të Zotit qofshin përherë,
u zhduktë nga toka kujtimi i tyre.
16 Se nuk u kujtua të tregojë mirësi,
por e mundonte skamnorin e nevojtarin,
zemërthyerin e ndiqte deri në vdekje.
17 E donte mallkimin, rëntë, pra, mbi të!
S'e donte bekimin, qoftë, pra, larg tij!
18 E vishte mallkimin si rrobë,
e pra, ia përshkoftë të përbrendshmet si uji
dhe kockat porsi vaji.
19 Iu bëftë porsi rroba që vesh,
si brezi që mban përherë ngjeshur».
20 Këtë shpagim paçin prej Zotit paditësit e mi,
bashkë me ata që flasin keq kundër shpirtit tim.
21 E ti, o Zot, Zoti im, vepro për mua,
siç i ka hije emrit tënd!
E dashur është mirësia jote, shpëtomë!
22 Se skamnor e nevojtar jam unë
e zemra ime sëmbon brenda meje.
23 Po tretem si hija e muzgut,
po më shkundin si karkalecin.
24 Gjunjët po më këputen nga të pangrënët,
mishi po më tretet pa dhjamë.
25 Jam kthyer në përqeshje për ta,
kur më shikojnë, tundin kokën.
26 Ndihmomë, o Zot, Perëndia im,
shpëtomë sipas mirësisë sate.
27 Le ta dinë se kjo është dora jote
dhe se ti, o Zot, e bëre këtë.
28 Ata do të mallkojnë, por ti do të bekosh.
Ata që ngrihen kundër meje do të turpërohen,
ndërsa shërbëtori yt do të gëzohet.
29 U veshshin me turp ata që më paditin,
me turpin e vet si me petk u mbështjellshin.
30 E unë do ta përlëvdoj Zotin me plot gojën,
në mes të turmës së madhe do ta lavdëroj.
31 Se ai i rri në të djathtë skamnorit
dhe e shpëton nga ata që e gjykojnë.
Mbë të parinë kënkëtuar. Psallm’ e Dhavidhit.
1 O Perëndia i lavdurimit t’im, mos pushojsh,
2 se gojë fajtori, edhe gojë gënjeshtari u hap kundrë meje; folnë kundrë meje me gjuhë të rreme.
3 Edhe me fjalë mërie më qarkuanë, e më luftuanë kot.
4 Ndë vënt që të më dojnë, kallëzonjënë keq për mua, po unë falem.
5 Edhe më bënë keq ndë vënt të së mirësë, edhe mëri ndë vënt të dashurisë s’ime.
6 Vërë fajtuar mbi atë, edhe diali ndënjttë prej së diathtash ati.
7 Kur të gjykonetë ay, daltë i dëmtuarë, edhe të falurit’ e ati u zëntë për faj.
8 U bëfshinën ditt’ e ati të paka, edhe tiatërë martë episkopin’ e ati.
9 U bëfshinë bijt’ e ati të varfërë, edhe gruaja e ati e ve.
10 Edhe të bijt e ati u siellçinë atej e tëtej, edhe lipshinë, edhe kërkofshinë (të ngrënë) prej vendesh tyre të shkretë.
11 Hua-dhënësi i kaptë gjithë çka, edhe të huajtë i rrëmbefshinë mundimetë.
12 Mos pastë se kush t’i ndihnjë, edhe mos pastë se kush të dhëmpnjë për të varfërët e ati.
13 U shofshinë diemt’ e ati, u shoftë emër’ i atyre prej brezit që vien.
14 U kujtoftë pa-udhëri’ e atrëvet ati përpara Zotit, edhe faj’ i s’ëmësë mos u shoftë.
15 Qofshinë kurdo përpara Zotit, edhe ngrittë prej dheut kujtimn’ e atyreve.
16 Për sa nuk’ u kujtua të bëntej përdëllim, po ndoqi njieri të nevojëshim e dorë-hollë, për të vrarë atë që ka zëmërë të thyerë.
17 Edhe sikundrë deshi mallëkim, kështu arthtë mbi atë, edhe sikundrë nukë deshi bekim, kështu u largoftë prej ati.
18 Edhe sikundrë veshi mallëkimnë posi petkë, kështu hyftë si ujë ndë zorrët të ati, edhe si vaj ndë ështërat të ati.
19 Iu bëftë posi petkë që vesh, edhe posi bres që ngjesh përherë.
20 Këtë çpagim paçinë prej Zotit arëmiqt’ e mi, edhe ata që flasënë keq kundrë shpirtit t’im.
21 Po ti, o Zot, Perëndi, puno bashkë me mua për emrinë tënt, se përdëllimi yt ësht’ i mirë, shpëtomë.
22 Se jam dorë-hollë edhe i nevojëshim, edhe zëmëra ime ësht’ e plagosurë përbrënda meje.
23 Shkova posi hije, kur vierr; hidhem posi karkalec.
24 M’u këput fuqia e gjunjëvet prej agjërimit, edhe mishi im u lik prej të majturit.
25 Edhe un’ u bëshë çpërnderim ndër ata; (kur) më panë, tuntnë krerët’ e tyre.
26 Ndihmë, o Zot Perëndia im, edhe shpëto-më pas përdëllimit t’ënt,
27 edhe le të ngjohënë, se dora jote është këjo,
28 se ti, o Zot, bëre këtë. Ata do të mallëkonjënë, po ti do të bekojsh; ata që ngrihenë kundrë meje u turpërofshinë, po shërbëtori yt do të gëzonetë.
29 Veshçinë turp ata që flasënë keq për mua; edhe veshçinë posi petkë turpëjen’ e tyre.
30 Do të lavduronj fort Zonë me gojët t’ime, edhe do t’e lavduronj ndë mes të shumëve,
31 se rri prej së diathtash të nevojëshimit për të shpëtuarë shpirtin’ e ati nga ata që e ndiekënë.