1 Bekoje Zotin, o shpirti im!
O Zot, Perëndia im, sa i madhërishëm je!
Je veshur me shkëlqim e lavdi,
2 dhe mbështillesh me dritën si me rrobë.
Qiellin e shtrin porsi tendë,
3 banesat e tua të larta mbi ujëra i ndërton,
retë i bën si karrocë për vete
dhe ecën mbi krahët e erës.
4 Erërat i bën lajmëtarë të tu,
flakët e zjarrit shërbestarë të tu.
5 Tokën e vendose mbi themelet e saj,
nuk do të lëkundet kurrë.
6 E mbulove me humnerë si me rrobë,
ujërat qëndruan mbi male.
7 Prej qortimit tënd ikin,
prej zërit të gjëmimit tënd marrin arratinë.
8 Ngjiten maleve, zbresin fushave,
drejt vendit që u caktove.
9 U vure kufi që të mos e kapërcejnë
e të mos kthehen për të mbuluar tokën.
10 Ti i dërgon burimet ndër përrenj,
mes maleve ato rrjedhin.
11 U japin ujë gjithë kafshëve të fushës,
gomarëve të egër u shuajnë etjen.
12 Pranë tyre banojnë zogjtë e qiellit,
mes degëve dëgjohet kënga e tyre.
13 Prej banesave të tua të larta u jep ujë maleve,
toka ngopet me frytet e duarve të tua.
14 Ti rrit barin për bagëtinë
e bimët në dobi të njeriut,
që të nxjerrë ushqimin nga toka,
15 verën që gëzon zemrën e njeriut,
vajin që i ndriçon fytyrën
e bukën që i forcon zemrën.
16 Ngihen drurët e Zotit,
cedrat e Libanit që ai mbolli.
17 Atje bëjnë fole zogjtë,
bredhat janë banesa e shtërgut.
18 Malet e larta janë për dhitë e egra,
shkrepat strehë për vjedullat.
19 Bëre hënën për të shënuar stinët
dhe dielli e di kur të perëndojë.
20 Hedh errësirën e bëhet natë,
nëpër të enden gjithë egërsirat e pyllit.
21 Këlyshët e luanëve ulërijnë për gjah,
nga Perëndia kërkojnë ushqim.
22 Kur lind dielli, mblidhen
e shtrihen nëpër strofkat e tyre.
23 Njeriu del për punë
e lodhet deri në mbrëmje.
24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot!
Të gjitha i ke bërë me urti!
Toka është plot me krijesat e tua.
25 Ja deti i madh e i gjerë!
Atje ka zvarranikë të panumërt,
gjallesa të vogla e të mëdha.
26 Atje lundrojnë anije,
Leviatani që krijove për të luajtur në të.
27 Të gjitha presin prej teje
ushqimin në kohën e duhur.
28 Ti u jep, ato mbledhin,
ti hap dorën, ato ngihen me të mira.
29 Ti fsheh fytyrën, ato tmerrohen,
ua heq frymën, ato ngordhin
e kthehen përsëri në pluhur.
30 Ti dërgon frymën tënde, ato krijohen,
ti përtërin faqen e tokës.
31 Lavdia e Zotit qëndroftë përjetë!
U gëzoftë Zoti për veprat e tij!
32 Ai hedh sytë mbi tokë e ajo dridhet,
prek malet e nxjerrin tym.
33 Do t'i këndoj Zotit gjithë jetën time,
do ta përhimnoj Perëndinë tim sa të jem gjallë.
34 I pëlqeftë kënga ime
e unë do të ngazëllej në Zotin.
35 U zhdukshin mëkatarët nga toka,
të paudhët mos qofshin më.
Bekoje Zotin, o shpirti im!
Aleluja!
1 Beko Zonë, o shpirti im; o Zot Perëndia im, fort u madhove, je veshurë me lavdurim e me madhëri.
2 Ay qi heth përmbi vetëhe dritënë, posi petkë; ay që shtrin qiellë, posi lëkurë.
3 Ay qi mbulon me ujë të lartëtë vëndet’ e ti, ay që bën retë qerre e ti,
4 ay që ecën mbi fletët të erëravet, ay që bën ëngjëjt’ e ti frymëra, edhe shërbëtorët’ e ti flakë ziari,
5 ay që themelon dhenë mbi qëndrim të ati, që të mos tundetë jetë pas jete.
6 Mbulove atë me avyssënë posi me petkë, ujëratë qëndruanë mbi malet.
7 Prej qërtimit tënt iknë; prej zërit bubullimësë s’ate u hoqnë me nxitim,
8 hipnë ndë malet, cbritnë ndë fushat, nd’atë vënt që i themelove.
9 Vure sinuar, që nuk do t’e kapërcenjënë, as do të kthenenë, për të mbuluarë dhenë.
10 Ay që dërgon burime ndër shpellat, që të shkonjënë ujëra për mes malevet;
11 pinë ujë gjith’ egërsirat’ e fushësë, gomarët e egrë shuanjënë etëjen’ e tyre;
12 mbi ato kanë të ndenjuritë shpest’ e qiellit, edhe apënë zë ndë mes të degavet.
13 Ay që ujit maletë prej të lartëvet vëndevet ti, prej pemësë duaret tua nginjetë dheu.
14 Ay që bën të mbinjë bar për bagëtinë, edhe barishte për shërbimn’ e njierëzet, që të nxierrë bukë prej dheut,
15 edhe verë që gëzon zëmërën’ e njieriut.
16 U nginjnë drut’ e Zotit, dëllinjat e Livanit, që mbolli,
17 atie ku bënjënë fole zoqtë; të ndënjurit e lelekut janë bredhatë.
18 Malet’ e lartë për dhit’ e egra; gurëtë janë pshtetëje për lepurat’ e butë.
19 Bëre hënënë për motet; dielli ngjeh të perënduarët’ e ti.
20 Lëshon errëcirë, e bënetë natë; ndë atë shkonjënë gjith’ egërsirat’ e pyllit.
21 Këlyshët’ e leonëvet ulërinjënë për të rrëmbyerë, e për të lypurë prej Perëndisë ushqimn’ e tyre.
22 Edhe posa len dielli, mbëlidhenë, edhe bien’ e flenë ndëpër shtrofkat të tyre;
23 del njieriu ndë punët të ti, e ndë mundimet të ti, gjer mbrëmanet.
24 Sa u madhuanë punët’ e tua, o Zot! të gjitha i bëre me dituri;
25 dheu u mbush me krijesënë tënde, ay det i math e i gjerë, atie janë shtërpënj, që s’kanë numërë, shtëzë të vogëla bashkë me të mëdha;
26 atie shkonjënë magje, (atie është) ky Leviathani, që krijove për të luajturë ndë atë.
27 Gjithë këto shpërenjënë mbë ty, që t’u apç ushqimnë mbë kohë.
28 Kur e ep, mbëledhënë; kur hap ti dorënë, të gjitha nginjenë së mirash,
29 po kur kthen ti faqenë mbë-nj’-anë, përzihenë; u ngre frymënë, edhe shuhenë, edhe kthehenë ndë baltë të tyre;
30 u dërgon frymënë tënde, edhe ndërtonenë, edhe përtërin faqen’ e dheut.
31 Qoftë lavdi’ e Zotit për gjithë jetënë, u gëzoftë Zoti për punët e tia.
32 Ay që shtie sytë mbi dhet, edhe bën atë të dridhetë, ay që përket maletë, edhe nxierrënë tym.
33 Do t’i këndonj Zotit sa të rronj, do t’i psall Perëndisë s’im sa të jem.
34 Mendimi im për atë do të jetë i ëmblë, edhe unë do të gëzonem për Zotnë.
35 U shofshinë fajtorëtë prej dheut, edhe të pa-udhëtë mos qofshinë më. Beko Zotnë, o shpirti im. Allilluja.