1 Lutje e Davidit.
Mba vesh, o Zot, e më dëgjo,
se jam skamnor e nevojtar.
2 Ruaje shpirtin tim, se jam besniku yt, o Perëndia im.
Shpëtoje shërbëtorin tënd që ka besim te ti.
3 Mëshiromë, o Zot,
se ty të thërras gjithë ditën.
4 Gëzoja shpirtin shërbëtorit tënd,
se te ti, o Zot, e lartësoj shpirtin tim.
5 Ti je i mirë, o Zot, i gatshëm për të falur
e plot mirësi për ata që të thërrasin.
6 Vëri vesh lutjes sime, o Zot,
dëgjoje zërin e përgjërimit tim.
7 Ditën e fatkeqësisë të thërras,
sepse ti më përgjigjesh.
8 Nuk ka si ty mes perëndive, o Zot,
nuk ka si veprat e tua.
9 Ti i krijove të gjitha kombet,
para teje do të vijnë e do të përkulen
dhe emrin tënd do të lavdërojnë, o Zot.
10 Ti je i madh e bën mrekulli,
vetëm ti je Perëndi.
11 Mësomë, o Zot, udhën tënde,
që të eci në të vërtetën tënde,
më bëj ta druaj emrin tënd me gjithë zemër.
12 Do të të falënderoj me gjithë zemër, o Zot, Perëndia im,
dhe emrin tënd do ta lavdëroj përjetë.
13 E madhe është mirësia jote ndaj meje,
nga thellësitë e skëterrës më shpëtove.
14 O Perëndi, kryeneçët u ngritën kundër meje,
turma gjakatarësh kërkojnë vdekjen time
e ty nuk të kanë për gjë.
15 Por ti, o Zot, je Perëndi i dhembshur e i mëshirshëm,
i ngadaltë në zemërim dhe plot mirësi e besnikëri.
16 Kthehu nga unë e ki mëshirë për mua,
jepi fuqi shërbëtorit tënd,
birin e shërbëtores sate shpëtoje.
17 Dëfto një shenjë mirësie ndaj meje,
që ta shohin ata që më urrejnë e të turpërohen,
se ti, o Zot, më ndihmove e më ngushëllove.
Urata e Davidit.
1 Kurrus veshinë tand, o Zot, edhe ndigjo-më, se unë jam i vobek e i nevojëshim.
2 Ruei shpirtinë t’em, se jam i dreitë; ti, o Perëndia em, shpëto shërbëtorinë tand, qi shpëren mbë tyi.
3 Përdëlle-më, o Zot, se tyi po thërras gjithë ditënë.
4 Gëzo shpirtin’ e shërbëtorit t’yt, se te ti, o Zot, vara shpirtinë t’em.
5 Se ti, o Zot, je i mirë, e i dhimpshim, e shumë i përdëllyeshim mbë gjith’ ata qi thërresinë mbë tyi.
6 Mba-i vesh të falunit t’em, o Zot, edhe ndigjo zanin’ e të lutunavet mia;
7 kam me thirrunë mbë tyi ndë ditë të shtrëngimit t’em, se ke me më ndigjuem.
8 Nukë të gjan ndonji ndër perëndinat, o Zot; as nukë janë porsi punët’ e tua.
9 Gjithë kombetë qi bane, kanë me ardhun’ e me lutunë përpara teje, o Zot, edhe kanë me lavduruem emëninë tand,
10 se ti je i math, edhe ban mërekulli, ti je i vetëmi Perëndi.
11 Hiq-më nd’udhët tande, o Zot, edhe kam me ecunë ndë të vërtetët tande, ngjit zemrënë t’eme ndë frikët të emënit t’yt.
12 Kam me të lavduem më gjithë zemrënë t’eme, o Zot Perëndia em, edhe kam me lavduruem emëninë tand për gjithë jetënë.
13 Se përdëllimi yt asht’ i math mbë mue, edhe shpëtove shpirtinë t’em prei vorrit fort të poshtëm.
14 O Perëndi, të paudhët’ u ngritnë kundrë meje, edhe përmëledhëje të fortësh kërkuenë shpirtinë t’em, edhe nukë të vunë përpara vetëvetëhesë.
15 Por ti, o Zot, je Perëndi i dhimpshim, e i përdëllueshim, e zemërë-gjanë, e përdëllim-math, e i vërtetë.
16 Shtierë sytë mbë mue, edhe përdëlle-më; ep-i fuqinë tandë shërbëtorit t’yt, edhe shpëto të birin’ e shërbëtoresë s’ate.
17 Ban tek unë shenjë për të mirë, qi të shofin’ ata qi më kanë mëni, edhe të turpënohenë, se ti, o Zot, më ndife, e më ngushullove.