1 Mjeshtrit të korit. Psalm i bijve të Korahut.
2 Tokën tënde e ke për zemër, o Zot,
Jakobin prej robërisë e ktheve.
3 Paudhësinë popullit ia fale,
të gjitha mëkatet ia mbulove. selah
4 Furinë tënde e fashite krejt,
prej zemërimit tënd dorë hoqe.
5 Na përtëri, o Perëndi i shpëtimit tonë,
jepi fund mërisë sate kundër nesh.
6 Mos vallë përjetë do të jesh i zemëruar me ne?
Mos vallë brez pas brezi do të zgjatë zemërimi yt?
7 A nuk do të kthehesh të na japësh jetë,
që populli yt të gëzohet në ty?
8 Tregona, o Zot, mirësinë tënde,
jepna shpëtimin tënd.
9 Do të dëgjoj se ç'thotë Zoti Perëndi.
Ja, paqe i premton popullit dhe besnikëve të vet
e nuk do t'i lërë të bien sërish në marrëzi.
10 Shpëtimi i tij është vërtet pranë atyre që e druajnë,
që lavdia të banojë në tokën tonë.
11 Mirësia dhe e vërteta u puqën,
drejtësia dhe paqja u puthën.
12 E vërteta do të mbijë nga toka,
drejtësia do të vështrojë prej qiellit.
13 Po, Zoti ka për të dhënë të mira
e toka jonë ka për të dhënë prodhim.
14 Përpara do t'i prijë drejtësia
e udhën do t'u hapë hapave të tij.
Mbë të parinë kankatuer. Psallmë për të bijt e Koreut.
1 Të pëlqeu dheu yt, o Zot, këtheve Iakobinë prei robënisë.
2 I fale paudhënitë popullit t’yt, mbulove gjithë fajet’ e atyneve. Selah.
3 Pushove gjithë zemëriminë tand, u këtheve prei mënisë zemërimit t’yt.
4 Këthe-na, o Perëndia i shpëtimit t’ynë, edhe këthe zemëriminë tand prei nesh.
5 Mos ke me qenunë kur-do zemëruem mbë ne? Apor ke me shtrimë zemëriminë tand bres mbas brezi?
6 Nukë do të këthehesh me na dhanë jetë, qi të gëzohetë populli yt për tyi?
7 Difto-na përdëlliminë tand, o Zot, edhe ep-na shpëtiminë tand.
8 Kam me ndigjuem qish ka me folunë Zoti Perëndi, se ka me folunë paqtim te populli i vet, edhe te të dreitët’ e vet, edhe le të mos këthehenë ndë marri.
9 Por ngjat atyneve qi kanë frikë ate ashtë shpëtimi i ati, qi të rrijë lavdi ndë dhet t’anë.
10 Përdëllimi edhe e vërteta hasnë bashkë, dreitënia e paqtimi u banë miq.
11 E vërteta ka me lemë prei dheut, edhe dreitënia ka me u kurrusunë prei qiellit.
12 Sepse Zoti ka me dhanë të mirënë, edhe dheu ynë ka me dhanë pemën’ e vet,
13 dreitënia ka me ecunë përpara ati, edhe ka me vumë mb’udhë hapat’ e veta.