1 Këngë. Psalm i Asafit.
2 O Perëndi, mos e mbyll gojën!
O Perëndi, mos rri i heshtur e mos u preh!
3 Se ja, armiqtë e tu po turfullojnë,
ata që të urrejnë kanë ngritur krye.
4 Thurin të këqija kundër popullit tënd,
këshillohen me njëri-tjetrin
kundër atyre që ke për zemër.
5 «Ejani», thonë, «T'i shfarosim si komb,
emri i Izraelit mos u kujtoftë më».
6 Kanë rënë të gjithë në një mendje,
kanë lidhur besën kundër teje.
7 Tendat e Edomit dhe ishmaelitët,
Moabi bashkë me hagritët,
8 Gebali, Amoni dhe Amaleku,
Filistea me banorët e Tirit,
9 me ta u bashkua edhe Asiria,
krah iu bënë bijve të Lotit. selah
10 Bëjua atyre siç ia bëre Midianit e Siserit,
siç ia bëre Jabinit në përroin e Kishonit.
11 Në Endor morën fund,
si pleh për tokën u bënë.
12 Bëjua fisnikëve të tyre si Orebit e Zebit,
tërë princave të tyre si Zebahut e Calmunaut.
13 Se thanë: «T'i marrim për vete
kullotat e Perëndisë».
14 O Perëndia im, bëji ata si shakullina,
si kashta që e përpin era.
15 Si zjarri që djeg pyllin,
si flaka që zhurit malet.
16 Ndiqi, pra, me shtrëngatën tënde,
me thëllimin tënd futua tmerrin.
17 Mbulojua fytyrën me turp
dhe emrin tënd do të kërkojnë, o Zot.
18 U turpërofshin e u tmerrofshin përgjithmonë,
u poshtërofshin e marrshin fund.
19 Kështu do ta dinë se «Zot» është emri yt,
se ti je i vetmi i Tejlartë mbi mbarë dheun.
Kankë psallm’ e Asafit.
1 O Perëndi, mos u resht, mos hesht, edhe mos pusho, o Perëndi.
2 Sepse shif anëmiqt’ e tu te bajënë gjam, edhe ata qi të kanë mëni ngritnë krye.
3 Banë këshille të keqe kundrë popullit t’yt, edhe këshilluenë kundrë të pshefunivet tu.
4 Thanë: Eni, e le të shueimë ata prei kombit, edhe emëni i Israelit le të mos përmendetë ma.
5 Se banë këshille me nji zemërë bashkë, lithnë fjalë kundrë teje.
6 Tendat e Edomit, edhe Ismaelitëtë, Moabi edhe Hagarianëtë.
7 Gebali, edhe Ammoni, edhe Amaleku, Filistenjtë bashkë me ata qi rrinë ndë Tyrë.
8 Por edhe Assurri u bashkue me ata, u ndimuenë të bijvet Lotit. Selah.
9 Ban-ua si Madianitëvet, si Sisarait, si Iabinit ndë purrue të Kisonit.
10 Të cillëtë hupnë ndë En-dor, u banë si plehë ndë dhet.
11 Ban zotënit’ e atyneve porsi Orebin’ e Zebin’ e Zebeen’ e Salmananë, gjithë të parët’ e atyneve, të cillëtë thanë:
12 Le të trashigoimë për vete vendetë qi rri Perëndia.
13 O Perëndia em, ban-i ata porsi rrotovile, porsi kashtë përpara erësë.
14 Porsi ziarrm qi diek pyllinë, edhe porsi flakë qi përcëllon maletë,
15 kështu përzen-i me thëlliminë tand, edhe trem-i me erënë tande të fortënë.
16 Mbush-u faqetë me shpërnderim, edhe kanë me kërkuem emëninë tand, o Zot.
17 U turpënofshin’ e u përziefshinë për gjithë monë, edhe u turpënofshin’ e u vdiershinë,
18 edhe le të ngjofinë se ti qi e ke eminë Zot, je vetëm’ i Naltë mbë gjithë dhenë.