1 Psalm i Asafit.
Trashëgiminë tënde e kanë pushtuar kombet, o Perëndi,
tempullin tënd të shenjtë e kanë përdhosur,
Jerusalemin në gërmadhë e kanë kthyer.
2 Kufomat e shërbëtorëve të tu
ua dhanë për ushqim shpendëve të qiellit,
mishin e besnikëve të tu egërsirave të tokës.
3 Gjakun e tyre e derdhën si ujë përreth Jerusalemit
e nuk kishte kush t'i varroste.
4 Jemi bërë tallje për fqinjët tanë,
përqeshje e lojë për ata që na rrethojnë.
5 Deri kur, o Zot? Përjetë do të jesh i zemëruar?
A do të ndizet si zjarr furia jote?
6 Derdhe zemërimin tënd mbi kombe që s'të njohin,
mbi mbretëri që nuk thërrasin emrin tënd.
7 Se e kanë gllabëruar Jakobin,
banesën e tij e kanë shkretuar.
8 Mos na i kujto paudhësitë e së shkuarës,
por ardhtë sa më shpejt mëshira jote,
se kemi rënë shumë poshtë.
9 Na ndihmo, o Perëndi i shpëtimit tonë,
për lavdinë e emrit tënd,
na çliro e na i fal mëkatet,
për hir të emrit tënd.
10 Përse të thonë kombet:
«Ku është Perëndia i tyre?».
Le ta marrin, pra, vesh kombet
e ne me sytë tanë le ta shohim,
hakmarrjen për gjakun e derdhur
të shërbëtorëve të tu.
11 Ardhtë para teje gjëma e të robëruarve,
me fuqinë e krahut tënd
shpëto të dënuarit me vdekje.
12 Shpërblejua shtatëfish fqinjëve tanë mbi kurriz
poshtërimin që të bënë ty, o Zot.
13 E ne populli yt, delet e kullotës sate,
do të të përlëvdojmë në amshim
e brez pas brezi do të shpallim lavdinë tënde.
Psallm’ e Asafit.
1 O Perëndi, erthnë kombe mbë trashigimt tand, ndynë tempullinë tand të shenjtënueminë, vunë Ierusalemënë mbi grumbulla.
2 Dhanë trupat’ e shërbëtorëvet tu me i ngranë shpendët’ e qiellit, edhe mishin’ e të dreitëvet tu bishavet dheut.
3 Derthnë gjakun’ e atyneve porsi ujë rreth Ierusalemësë, edhe s’kishte kush t’i vorronte.
4 U bam shpërnderim ndër fëqinjt tonë, të përqeshun’ e të përbuzunë ndër ata qi janë rreth nesh.
5 Deri kurë, o Zot, ke me u zemëruem përherë? Ka me diegunë zmiri yt porsi ziarrm?
6 Derth zemëriminë tand mbi ata kombe qi nukë të ngjofinë, edhe mbi ato mbëretënia qi nuk thirrnë mb’emënit tand,
7 se hangrën Iakobinë, edhe shkretuenë vendin’ e ati.
8 Mos kuito kundrë nesh paudhënit’ e të herëshimvet, le të na e mbërrijënë shpeit përdëllimet’ e tu, se u përvum tepërë.
9 Ndif-na, o Perëndia i shpëtimit t’ynë, për punët të lavdisë emënit t’yt, edhe liro-na, edhe bahu i përdëllyeshim mbë fajet tona, për punët të emënit t’yt.
10 Mos thonë ndonji herë kombetë: Ku ashtë Perëndia i atyneve? Edhe u ngjoftë ndër kombet, përpara syvet t’anë, shpagimi i gjakut shërbëtorëvet tu, qi u derth.
11 Arthtë përpara teje shamtima e të lidhunavet; mbas madhënisë krahit t’yt, ruei te bijt’ e atyneve qi janë vramë,
12 edhe ep-u fëqinjvet t’onë, o Zot, shpërnderiminë qi të shpërnderuenë ndë gjit të atyneve, për nji shtate.
13 Por na populli yt, edhe dhent’ e kullotësë s’ate, kemi më të lavduruem për gjithë jetënë, bres mbas brezi kemi me diftuem lavduriminë tand.