1 Te ti, o Zot, kërkova strehë,
mos lejo të turpërohem asnjëherë.
2 Sipas drejtësisë sate shpëtomë e çliromë,
prire veshin drejt meje e shpëtomë.
3 Bëhu për mua shkëmbi,
ku gjej përherë strehim.
Ti ke urdhëruar shpëtimin tim,
se ti je shkëmbi dhe fortesa ime.
4 O Perëndia im, shpëtomë nga dora e të paudhit,
nga kthetra e keqbërësit dhe e shtypësit.
5 Se ti, o Zot, je shpresa ime,
te ti, o Zot, kam besim që në rini.
6 Te ti jam mbështetur që në bark të nënës,
prej barkut të saj ti më nxore,
ty të përlëvdoj përherë.
7 Për shumë njerëz u bëra si shenjë mrekullie,
se ti ke qenë streha ime e fortë.
8 Goja ime është plot lavde për ty,
tërë ditën ty të madhëron.
9 Mos më hidh poshtë në pleqëri,
mos më braktis kur të më lënë fuqitë.
10 Ja, armiqtë e mi po flasin kundër meje,
ata që më përgjojnë, po shestojnë bashkë.
11 «Perëndia e ka braktisur», thonë.
«Ndiqeni pas e kapeni,
se nuk ka kush ta shpëtojë».
12 O Perëndi, mos u largo prej meje,
o Perëndia im, shpejto të më ndihmosh!
13 U turpërofshin e u shofshin
kundërshtarët e shpirtit tim,
u poshtërofshin e u turpërofshin
ata që më duan të keqen.
14 E unë do të shpresoj gjithmonë te ti,
do të të lavdëroj gjithnjë e më shumë.
15 Goja ime do të shpallë drejtësinë tënde,
gjithë ditën do të kumtojë shpëtimin tënd,
që nuk di ta mat.
16 Do të shpall veprat e fuqishme të Zotit, Zotit tim,
do të sjell ndër mend drejtësinë që është vetëm e jotja.
17 O Perëndi, ti më ke mësuar që në rini,
e deri tani unë shpall mrekullitë e tua.
18 As kur të plakem e të thinjem,
mos hiq dorë prej meje, o Perëndi,
derisa t'ia shpall pushtetin tënd kësaj breznie,
fuqinë tënde të gjithë atyre që do të vijnë.
19 Drejtësia jote, o Perëndi, arrin lartësitë,
se ti ke bërë vepra madhështore.
O Perëndi, kush është i ngjashëm me ty?
20 Ti, që më dhe shumë fatkeqësi e mjerime,
ti do të ma përtërish jetën,
nga thellësitë e tokës do të më nxjerrësh,
lart do të më ngresh sërish.
21 Do të më japësh më shumë madhështi.
Do të kthehesh e do të më ngushëllosh.
22 E unë do të të përlëvdoj me tingullin e lirës,
besnikërisë sate do t'i këndoj, o Perëndia im,
do të të himnoj me harpë, o i shenjti i Izraelit.
23 Buzët e mia do të ngazëllejnë, kur të këndojnë për ty,
bashkë me shpirtin tim, që ti e shpengove.
24 Edhe gjuha ime do të flasë tërë ditën për drejtësinë tënde,
u turpërofshin e u poshtërofshin ata që ma duan të keqen.
1 Shpëreva mbë tyi, o Zot: mos u turpënofsha kurrë.
2 Për dreitëninë tande shpëto-më, edhe liro-më; ul veshinë tand tek unë, edhe shpëtomë.
3 Ban-m’u gur për të ndenjunë, qi të mpshtetem atie përherë; ti urdhënove të më shpëtojsh, se ti je guri em edhe kasteli em.
4 O Perëndia em, shpëto-më prei dorësë të pa-besit,edhe prei dorësë të paudhit edhe të shtrembëtit.
5 Se tije pritëja eme, o Zot Perëndi, shpëresa eme çë prei dielmënisë s’eme.
6 U mpshteta mbë tyi çë prei barkut, ti je mbulesa eme çë prei zorrëvet barkut amësë s’eme, kam për me të lavduruem përherë.
7 U bashë porsi nji kafshë e egrë mbë të shumët, por ti je e forta mpshtetëja eme.
8 U mbushtë goja eme me lavduriminë tand, edhe me lavdinë tande gjithë ditënë.
9 Mos më hith tej ndë kohë të pleqënisë, mos hiq dorë prei meje, kur të më lajë fuqia.
10 Se anëmiqt’ e mi flasinë për mue, edhe ata qi ruejënë shpirtinë t’em, bajënë këshille bashkë,
11 tue thanë: Perëndia hoqi dorë prei ati, ndiqni-a edhe zini-a, se s’ka kush ta shpëtojë.
12 O Perëndi, mos u mërgo prei meje; o Perëndia em, nxito me më ndifunë.
13 U turpënofshin’e u shofshin’ anëmiqt’ e shpirtit t’em, i mbuloftë marrëja e turpëja ata qi kërkojënë të keqenë t’eme.
14 Por unë kam me shpëryem përherë, edhe kam me shtuem lavdurimet’ e tu mbë të gjithë.
15 Goja eme ka me dëftuem dreitëninë tande edhe shpëtiminë tand gjithë ditënë, se nukë ngjof numëratë.
16 Kam me hymë ndë fuqi të Zotit Perëndisë, kam me përmendunë dreitëninë tande vetëmë.
17 O Perëndi, ti më mësove çë prei dielmënisë s’eme, edhe deri tashti dëftoishiem mërekullit’ e tua.
18 Mos hiq’ dorë prei meje as deri ndë pleqënit, edhe deri ndë të sbardhunit e qimevet mia, o Perëndi, deri sa t’i dëftoj krahinë tand këti brezi, edhe fuqinë tande gjith’ atyne qi vinë mbas.
19 Sepse dreitënia jote, o Perëndi, ashtë fort nalt, sepse ti bane punë të mëdha; o Perëndi, kush ashtë si ti,
20 i cilli më dëftove shumë shtrëngime e të këqia, edhe u këtheve e më dhe frymë të gjallë, edhe më nxore përsëri prei abyssavet dheut?
21 Shtove madhëninë t’eme, edhe u këtheve e më ngushullove.
22 Andai edhe unë, o Perëndia em, kam me të lavduruem me organ psallteri tyi, edhe të vërtetënë tande; kam me të psallunë me qitharë, o Shenjt’ i Israelit.
23 Kanë me u gëzuem buzët’ e mia, kur të psall për tyi, edhe shpirti em, qi e shpërbleve.
24 Por edhe gjuha eme ka me folunë për dreitëninë tande gjithë ditënë, sepse u marruen’ e u turpënuen ata qi kërkojënë të keqenë t’eme.