1 Ankimi që Davidi i këndoi Zotit për fjalët e Kushit nga fisi i Benjaminit.
2 O Zot, Perëndia im, te ti kërkoj strehë,
shpëtomë e çliromë prej të gjithë përndjekësve të mi.
3 Në mos, si luani do të ma shqyejnë shpirtin
e do të më copëtojnë pa më ardhur kush në ndihmë.
4 O Zot, Perëndia im, po të kem bërë gjë
e po të kem bërë padrejtësi me duart e mia,
5 nëse ia kam kthyer me të keqe dashamirësit tim
apo e kam plaçkitur armikun pa shkak ,
6 më ndjektë armiku e më kaptë,
jetën time e nëpërkëmbtë
e nderin pluhur ma bëftë. selah
7 Çohu, o Zot, me zemërim,
ngrihu mbi tërbimin e armiqve të mi,
qëndro krah meje, ti që ke vendosur drejtësi.
8 Le të të rrethojnë kombet,
por ti sundoji nga vendi yt i lartë.
9 O Zot që gjykon popujt,
gjykomë ti, o Zot, se jam i drejtë e pa faj.
10 Ligësia e të paudhëve marrtë fund,
por të drejtin forcoje, o Perëndi i drejtë,
ti që shqyrton mendjet e zemrat .
11 Mburoja ime është Perëndia,
ai i shpëton zemërdrejtët.
12 Perëndia është gjykatës i drejtë,
Perëndia është përherë i rreptë.
13 Nëse dikush nuk pendohet,
Perëndia e mpreh shpatën,
e nden harkun dhe e mban gati.
14 I ka bërë gati armët e vdekjes
dhe i ka ndezur shigjetat.
15 Ja, i ligu ngjiz paudhësi,
mbart ligësi e pjell mashtrim.
16 Hapi një gropë, gërmoi thellë,
por në gropën që bëri ra brenda vetë.
17 Ligësia që bëri do t'i kthehet kokës
e dhuna e vet do t'i bjerë ballit.
18 Unë do të falënderoj Zotin për drejtësinë e tij
e do t'i këndoj himne emrit të Zotit, të Tejlartit.
Shiggaion i Davidit, qi i psalli Zotit, për fjalët’ e Hushit Beniaminit.
1 O Zot Perëndia em, shpërej mbë tyi: shpëto-më prei gjith’ atyneve qi më ndiekinë, edhe liro-më;
2 mos rrëmbejë ndonji herë anëmiku shpirtinë t’em porsi leon, edhe mos e shqyejë, pa mos qenunë shpëtimtar.
3 O Zot Perëndia em, ndë bana unë këtë, ndë ashtë pa-udhëni ndë duert të mia,
4 ndë i shpagova të keqe për të mirë ati qi kishte paqtim me mue (a në shtrëngova atë qi më ndiek pa ndonji punë),
5 ndiektë anëmiku shpirtinë t’em, edhe e kaptë, edhe shkeltë përdhe jetënë t’eme, edhe vuftë lavdinë t’eme ndë pluhunë. Selah.
6 Çohu, o Zot, ndë zemërimt tand, naltohu për punë të tërbimit anëmiqvet mi, edhe çohu për mue ndë gjyq, qi urdhënove.
7 Edhe përmbëledhëja e popujvet ka me të qarkuem, edhe këthehu, të rrish përmbi atë mbë të naltë.
8 Zoti ka me gjukuem popujtë, gjuko-më, o Zot, mbas dreitënisë s’eme, edhe mbas të mos qenunit’ e keqe tek unë.
9 Le të mbarohetë ma e keqeja e të pa-besëvet, edhe forco të dreitinë ti, o Perëndia i dreitë, qi shprovon zemëra e veshnje.
10 Mburonja eme ashtë mbë Perëndinë, qi shpëton zemërë-dreitëtë.
11 Perëndia ashtë gjyqtar i dreitë, edhe Perëndi qi zemërohetë përditë.
12 Ndë mos u këtheftë i pa-besi, ka me prefunë shpatën’ e vet; ngrefi harkun’ e vet, edhe e bani gati.
13 Edhe bani gati armë vdeke për atë, ndërtoi shigjetat’ e veta kundrë ndiekësëvet.
14 Qe i pa-besi te mundohetë me piellë pa-udhëni, edhe u mbars të keqe, edhe puell rrenë.
15 Mihu gropë, edhe e thelloi, por ka me ranë ndë gropët qi bani.
16 E keqeja e ati ka me u këthyem mbi kryet t’ati, edhe pa-udhënia e ati ka me sdrypunë ndë majët të kresë ati.
17 Kam me lavduem Zotinë mbas dreitënisë ati, edhe kam me psallunë për emënin’ e Zotit naltë.