1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit. Këngë.
2 U ngrittë Perëndia e u shpërndafshin armiqtë e tij,
ata që e urrejnë ikshin prej tij.
3 I zhduksh ata ashtu siç davaritet tymi,
siç shkrin dylli prej zjarrit,
ashtu u shfarosshin të paudhët para Perëndisë.
4 Por të drejtët gëzojnë,
para Perëndisë ngazëllejnë
e plot hare brohorasin.
5 Këndojini Perëndisë,
këndojini himne emrit të tij,
hapini udhë atij që kalëron në shkretëtirë ,
Zot është emri i tij,
ngazëlleni para tij.
6 Atë i jetimëve dhe mbrojtës i vejushave
është Perëndia në banesën e tij të shenjtë.
7 Perëndia strehon të vetmuarit,
çliron të robëruarit,
por kryeneçët banojnë në djerrinë.
8 O Perëndi, kur i prive popullit tënd,
kur marshove në shkretëtirë, selah
9 toka u drodh e qiejt u zbrazën
para teje, Perëndisë së Sinait,
para Perëndisë së Izraelit.
10 Shi të begatshëm dërgove, o Perëndi,
trashëgiminë tënde të drobitur përtërite.
11 Aty banoi grigja jote, o Perëndi,
ti u kujdese tërë mirësi për të mjerin.
12 Zoti tha një fjalë,
të shumta janë lajmëtaret:
13 «Arratinë marrin mbretërit e ushtrive, arratinë marrin,
gratë e shtëpive ndajnë prenë.
14 Edhe nëse shtriheni mes tufave për të pushuar,
krahët e pëllumbeshës shkëlqejnë nga argjendi,
pendët e saj praruar janë nga ari.
15 Kur i gjithëpushtetshmi shpartalloi mbretërit,
mali i Calmonit zbardhi nga dëbora».
16 Mal madhështor është mali i Bashanit,
mal me thepa mali i Bashanit.
17 Përse, o male të thepisura, me smirë e shikoni
malin që Perëndia për banesë zgjodhi?
Atje do të banojë përgjithmonë Zoti.
18 Karrocat e Perëndisë janë me mijëra,
me mijëra e dhjetëra mijëra,
mes tyre qëndron Zoti,
ashtu si në Sina, tërë shenjtëri .
19 U ngjite në lartësi, zure robër,
dhurata prej njerëzve e prej kundërshtarëve more,
që atje të banosh, o Zot Perëndi.
20 Bekuar qoftë ditë për ditë Zoti,
Perëndia që kujdeset për ne,
ai që na shpëton. selah
21 Perëndia ynë është Perëndi që shpëton,
prej Zotit Perëndi vjen shpëtimi nga vdekja.
22 Perëndia do t'ua copëtojë kryet armiqve,
kokat tërë flokë atyre që ecin në udhë ligësie.
23 Zoti tha: «Do t'i kthej nga Bashani,
nga thellësia e detit do t'i kthej,
24 që këmbët t'i zhytësh në gjakun e armiqve,
që gjuha e qenve të tu të lëpijë pjesën e vet».
25 E panë shpurën tënde, o Perëndi,
shpurën e Perëndisë tim, mbretit tim,
tek hynte në shenjtërore.
26 Para ecnin këngëtarët,
pas u vinin muzikantët,
mes vashave që u binin dajreve.
27 Bekoni Perëndinë nëpër kuvende,
bekoni Zotin, ju prej gurrës së Izraelit.
28 Atje u prin Benjamini, më i vogli,
pas vijnë prijësit e Judës me trupën e tyre,
prijësit e Zabulonit, prijësit e Neftaliut.
29 Perëndia yt urdhëroi të kesh fuqi,
fuqinë që Perëndia e shfaqi për ne.
30 Për hir të tempullit tënd në Jerusalem,
dhurata do të të sjellin mbretërit.
31 Kanosi egërsirat e kallamishteve,
tufën e demave bashkë me viçat e popujve,
që të nënshtrohen e pllaka argjendi të sjellin .
Shpërndaji popujt që luftës i gëzohen.
32 Dërgata do të vijnë nga Egjipti,
Kushi duart do të shtrijë kah Perëndia.
33 O mbretëri të tokës, këndojini Perëndisë,
këndojini himne Zotit, selah
34 atij që kalëron mbi qiejt e qiejve të lashtë,
atij që ngre zërin, zërin e tij të fuqishëm.
35 Shpallni fuqinë e Perëndisë,
madhëria e tij qëndron mbi Izraelin,
fuqia e tij më lart se retë.
36 I mrekullueshëm je, o Perëndi,
në shenjtëroren tënde!
Perëndia i Izraelit i jep fuqi
e forcë popullit të vet.
Bekuar qoftë Perëndia!
Mbë të parinë kankatuer. Psallmë kanke e Davidit.
1 U ngrittë Perëndia, edhe u shpërdafshin’ anëmiqt’ e ati, edhe ikshinë prei syvet ati ata qi e kanë mëni.
2 Sikurse biretë tymi, kështu bir-i ata, sikurse tretetë qiri përpara ziarrmit, kështu u bierrshinë të pa-besëtë prei syvet Perëndisë.
3 Por të dreitët u gëzofshinë, u gazmofshinë përpara Perëndisë, edhe u gëzofshinë me gëzim.
4 Këndoni Perëndisë, psallni emënit ati, bani gati udhën’ ati qi ecën kaluer ndë shkreti: emëni i ati ashtë Zot, edhe gëzohi përpara ati.
5 Ati i të vorfënivet, edhe gjyqtar i të vejavet ashtë Perëndia ndë të shenjtënueminë vendin’ e vet.
6 Perëndia ban të vetëmitë me ndenjunë ndë shtëpi, nxier të lidhunitë me hekura ndë trimëni, por krye-ngritunitë rrinë ndë dhe të thatë.
7 O Perëndi, kur dilshie përpara popullit t’yt, kur shkoishie ndëpër shkreti, Selah.
8 U lëkund dheu, edhe ata qilltë rrothnë prei sysh Perëndisë, ai Sinaiu lëkund prei sysh Perëndisë, Perëndisë Israelit.
9 O Perëndi, dërgove miaft si mbë trashigimt tand, edhe kur ishte pa fuqi, ti e forcove.
10 Përmbëledhëja jote ndenji nd’atë, bane gati për të vobegunë me të mirënë tande, o Perëndi.
11 Zoti dha fjalë: ata qi dhanë za të mirë ishinë ushtëri e madhe.
12 Mbëretën’ ushtëriash tue ikun’ iknë, edhe ato qi mbetnë ndë shtëpi daishinë plaçëkatë.
13 Edhe ndë dirgjeshitë ndë miedis të votrësë, por keni me qenunë porsi fletë pullumbi të argjandueme, edhe populat’ e ati me arë të verdhë.
14 Fuqi-madhi kur shpërdante mbëretënë nd’atë, u bai bardhë porsi bora ndë Salmon.
15 Mali i Perëndisë ashtë porsi mali i Bashanit: mal’ i naltë, porsi mali i Bashanit.
16 Përse keni zmir, o male të naltë? Kyi ashtë mali, qi i pëlqeu Perëndisë me ndenjunë, sepse Zoti ka me ndenjunë nd’atë për gjithë monë.
17 Qerret’ e Perëndisëjanë njizet mijë mijënash, qi i heqinë , Zoti ashtë ndërmiet atyneve porsi ndë Sina, ndë të shenjtënueminë vend.
18 Hype nalt, rope robëninë, more dhunëtia për njerëzit, por edhe për të pandëgjueshimit, qi të rrish ndërmiet atyne , o Zot Perëndi.
19 Qoftë bekuem Zoti, ditë për ditë qi na ngarkon me të mira , Perëndia i shpëtimit t’ynë. Selah.
20 Perëndia ynë ashtë Perëndi shpëtimi: edhe të nxierrëtë prei vdeket ashtë prei Zotit Perëndisë.
21 Por Perëndia ka me dërrmuem kryet’ e anëmiqvet vet, edhe kryetë me qime ati qi ecën nd’udhë të këqia.
22 Zoti tha: Kam me këthyem prei Bashanit, kam me këthyem popullinë t’em prei të thellavet detit,
23 qi të ngjyhetë kamba jote ndë gjakt të anëmiqvet, edhe gjuha e qenvet tu prei ati.
24 U panë hapat’ e tua, o Perëndi, hapat’ e Perëndisë t’em, mbëretit t’em, ndë vend të shenjtënuem.
25 Veishinë përpara psallësitë, mbrapa ata qi u bijshin organavet, ndë miedis vasha tue rrafunë tympana.
26 Bekoni Perëndinë ndër përmbëledhëje, bekoni Zotinë, ju qi jeni prei gurrës’ Israelit.
27 Atie ishte Beniamini vogëlë, i pari atyne, zotënit’ e Iudësë me njerëzit e atyne, zotënit’ e Zabulonit, edhe zotënit’ e Nefthalit.
28 Perëndia yt urdhënoi fuqinë tande, forco, o Perëndi, këtë qi punove për ne.
29 Për tempullinë tand ndë Ierusalemë, mbëretënitë kanë me të prumë dhunëtia.
30 Qirto bishat’ e kallamishtësë, tufën’ e mëzetënavet bashkë me viçat’ e popujvet, qi të ulinë kryetë tue prumë copa argjandi, shpërdai popujtë qi duenë luftëna.
31 Kanë me ardhunë njerës të mëdhej kah Misiri, Ethiopia shpeit ka me shtrimë duert’e veta te Perëndia.
32 Këndoni Perëndisë, o mbëretënit’ e dheut, psallni Zotit. Selah,
33 Ati qi ecën kaluer mbi qillt e qillvet herëshim, qe tek ep zanin’ e vet, zanin’ e fortë.
34 Epni fuqinë Perëndisë, madhënia e ati ashtë mbi Israelinë, edhe fuqia e ati mbi ret.
35 I frikëshim je , o Perëndi, prei vendevet tu të shenjtënuemevet; Perëndia i Israelit asht’ ai qi i ep fuqi e forcatë popullit vet. I bekuem qoftë Perëndia.