1 Mjeshtrit të korit. Për vegla me korda. Psalm i Davidit.
2 Dëgjoje, o Perëndi, përgjërimin tim,
vëre re lutjen time.
3 Të thërras nga skaji i tokës,
se më ka lëshuar zemra.
Më pri drejt shkëmbit,
që ngrihet më lart se unë.
4 Se ti ke qenë streha ime,
kështjellë e fortë përballë armikut.
5 Përjetë dua të banoj në tendën tënde,
të gjej strehë nën hijen e krahëve të tu. selah
6 Ti, o Perëndi, i ke pranuar zotimet e mia,
më ke dhënë trashëgiminë e atyre që të druajnë.
7 Shtoju ditë ditëve të mbretit,
zgjati vitet e tij brez pas brezi.
8 Mbretëroftë përjetë në prani të Perëndisë,
e ruajtshin mirësia dhe besnikëria jote.
9 Kështu, do t'i këndoj përherë emrit tënd,
do t'i përmbush zotimet e mia ditë pas dite.
Mbë të parinë kankatuer, mbi Neginoth. Psallm’ e Davidit.
1 Ndëgjo klithmënë t’eme, o Perëndi, ven’-i vesh të falunit t’em.
2 Kam me thirrunë mbë tyi prei anëvet dheut, kur të fiketë zemëra eme, hiq-më udhënë ndë gur, qi ashtë fort i naltë për mue.
3 Se ti m’u banë mpshtetëje, pyrk i fortë përpara anëmikut.
4 Kam me ndenjunë përherë ndë tendët tande, kam me hymë ndënë mbulesën’ e fletëvet tua. Selah.
5 Se ti, o Perëndi, ndëgjove uratënë t’eme, dhe trashigim atyne qi kanë frikë emëninë tand.
6 Ke me shtuem ditt ndë ditt të mbëretit, viet’ e ati qofshinë bres mbas brezi.
7 Ka me mbetunë për gjithë jetënë përpara Perëndisë, ban ta ruejënë përdëllimi edhe e vërteta.
8 Kështu kam me psallunë përherë për emëninë tand, qi të ap urata’ e mia ditë për ditë.