1 Mjeshtrit të korit. Për vegla me tetë korda. Psalm i Davidit.
2 Mos më qorto, o Zot, me zemërimin tënd,
mos më ndëshko me mërinë tënde.
3 Ki mëshirë për mua, o Zot, se po tretem,
shëromë, se po më dridhen kockat.
4 Shpirtin ma ka zënë tmerri,
po deri kur, o Zot?
5 Kthehu, o Zot, e çliroje shpirtin tim,
shpëtomë për hir të mirësisë sate,
6 se ndër të vdekurit s'ka kush të kujton,
e në skëterrë s'ka kush të falënderon.
7 U lodha së rënkuari,
e njom përnatë shtratin tim,
me lot e lag shtrojën time.
8 M'u fikën sytë nga brenga,
m'u dobësuan prej të gjithë armiqve të mi.
9 Largohuni nga unë ju që bëni paudhësi,
se Zoti e dëgjon ngashërimin tim.
10 Zoti e dëgjoi përgjërimin tim
dhe lutjen time do ta pranojë.
11 U turpërofshin e u tmerrofshin të gjithë armiqtë e mi,
e menjëherë u kthefshin pas të çnderuar.
Mbë të parinë kankatuer, mbi Neginoth, mbi Sheminith. Psallm’ e Davidit.
1 Zot, mos më qirto ndë zemërimt tand, as mos më mundo ndë mënit tande.
2 Përdëlle-më, o Zot, se jam i pafuqishim; shëndosh-më, o Zot, se u tuntnë eshtënat’ e mia.
3 Edhe shpirti em u tund fort, por ti, o Zot, nder kurë?
4 Këthehu, o Zot, liro shpirtinë t’em, shpëto-më për përdëllimt tand.
5 Se s’ka kush me të kuituem ndë vdekët, edhe kush ka me të lavduruem ndë vorrt?
6 U lodha ndë shamtimët t’eme, gjithë natënë laj shtratinë t’em, lak shtresënë t’eme me lott e mi.
7 Syni em u vyshk prei idhënimit, u plak për punë të gjith’ anëmiqvet mi.
8 Largohi prej meje, gjithë ju qi punoni pa udhë, se Zoti ndëgjoi zanin’ e të qjamit t’em.
9 Zoti ndëgjoi të lutunitë t’em, Zoti priti të falunitë t’em.
10 U tërpënofshin’ e u tuntshinë fort gjith’ anëmiqt’ e mi, u këthefshinë mbrapa, e u turpënofshinë befas.