1 Mjeshtrit të korit. Sipas melodisë «Mos shkatërro». Himn i Davidit. Kur Sauli dërgoi njerëz që t'i rrethonin shtëpinë e ta vrisnin.
2 Shpëtomë nga armiqtë e mi, o Perëndi,
prej kundërshtarëve të mi mbromë.
3 Shpëtomë nga ata që bëjnë paudhësi,
prej njerëzish gjakatarë çliromë.
4 Ja, kanë ngritur pritë për të më vrarë,
të fortët janë vërsulur kundër meje,
por unë nuk kam as faj e as mëkat, o Zot.
5 Edhe pse s'kam faj, ata janë bërë gati me nxitim.
Ngrihu, pra! Eja pranë meje dhe shiko!
6 Ngrihu, o Zot, Perëndi i ushtrive,
ndëshkoji të gjitha kombet ti, o Perëndi i Izraelit,
mos ki mëshirë për asnjë tradhtar të paudhë. selah
7 Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë
dhe sillen nëpër qytet.
8 Ja, shkumë u del nga goja,
nga buzët lëshojnë shpata:
«E pse», thonë, «Kush na dëgjon?».
9 Por ti, o Zot, do të qeshësh me ta,
me të gjitha kombet do të tallesh.
10 O fuqia ime, ty po të pres,
se ti, o Perëndi, je streha ime.
11 Perëndia im do të vijë tek unë tërë mirësi.
Perëndia do të më dëftejë
shkatërrimin e armiqve të mi.
12 Mos i vrit, që të mos harrojë populli im,
por shpërndaji me fuqinë tënde,
rrëzoji përdhe, o Zot, mburoja jonë!
13 Mëkat është çdo fjalë që u del prej goje.
Rënçin në lakun e krenarisë së tyre,
për shkak të mallkimeve dhe gënjeshtrave që thonë.
14 Shkatërroji me zemërimin tënd,
shkatërroji që të mos jenë më!
Le ta dinë se Perëndia sundon mbi Jakobin
e deri në skajet e tokës. selah
15 Kthehen në mbrëmje, ulërijnë si qentë
dhe sillen nëpër qytet.
16 Hapërdahen për të gjetur ushqim
e, kur nuk ngopen, kuisin tërë natën.
17 Por unë do t'i këndoj fuqisë sate,
që në mëngjes do të brohoras për mirësinë tënde,
se në ditën e fatkeqësisë sime,
ti ke qenë streha e mburoja ime.
18 O fuqia ime, ty do të të thur himne,
se ti, o Perëndi, je mburoja ime,
je Perëndia im plot mirësi.
Mbë të parinë kankatuer, mbi Al-tashheth, Miktam i Davidit, kur dërgoi Sauli, e rueishinë shtëpin’ eati për me e vramë.
1 Shpëto-më prei anëmiqvet mi, o Perëndia em, mburo-më prei atyne qi janë ngritunë kundrë meje.
2 Ruei-më prei atyne qi punojënë pa udhë, edhe shpëtomë prei njerëzish gjaknash.
3 Sepse, qe te përgjojënë shpirtinë t’em; u mbëlothnë mbi mue të fortë, aspër pa-udhëninë t’eme, aspër fajinë t’em, o Zot.
4 Pa qenunë mbë mue pa-udhëni, ecin’ e bahenë gati, çohu e më del’ përpara, edhe shif.
5 Ti pra, o Zot Perëndia i fuqivet, Perëndia i Israelit, çohu për me vumë ore gjithë kombetë, mos përdëllejsh gjith’ ata qi punojënë pa udhë. Selah.
6 Këthehenë mbramanet, edhe lefinë si qen, edhe qerthullojënë qytetinë.
7 Qe ata te nxierrinë fjalë prei gojësë vet, edhe ashtë shpatë ndë buzët t’atyne, sepse thonë : Kush ndëgjon?
8 Por ti, o Zot, ke me qeshunë për ata, ke me përqeshunë gjithë kombetë.
9 O fuqia eme, kam me pritunë tyi, se ti , o Perëndi, je ndifmësi em.
10 Perëndia i përdëllimit t’em ka me më mbërrimë, Perëndia ka me më diftuem prishëjen’ e anëmiqvet mi.
11 Mos vrit ata, se mos harrojë ndonji-herë populli em, shpërdai ata me fuqinë tande, edhe shtier’-i poshtë, o Zot, mburonja eme.
12 Për fajin’ e gojësë vet, për fjalët e buzëvet veta, u zançinë ndë madhështi të vet, edhe për mallëkimin’ e për rrenënëqi flasinë.
13 Prish ata me zemërim, prish ata, sa të mos jenë, edhe le ta ngjofinë, se Perëndia zotënon te Iakobi, edhe deri te kantet’ e dheut. Selah.
14 U këthefshinë pra ndë mbramiet, edhe ulurifshinë si qen, edhe qerthullofshinë qytetinë.
15 Le të shpërdahenë për të ngranë, edhe ndë mos u ngifshinë, do të hahenë.
16 Por unë kam me kënduempër fuqinë tande, edhe ndë nadie kam me lavduruem me gëzim përdëlliminë tand, se m’u bane ndifmës, edhe mpshtetëje ndë ditë të shtrëngimit t’em.
17 O fuqia eme, kam me psallunë për tyi, se ti , o Perëndi,je ndifmësi em, Perëndia i përdëllimit t’em.