1 Psalm i Davidit.
Alef
Mos u zemëro nga keqbërësit,
ata që bëjnë paudhësi mos i lakmo.
2 Se ata do të thahen shpejt si bari,
do të vyshken si barishtja e njomë.
Bet
3 Beso në Zotin e bëj të mirën,
bano në këtë tokë e shijo besnikërinë e tij.
4 Gjeje kënaqësinë te Zoti
e ai do t'i plotësojë dëshirat e zemrës sate.
Gimel
5 Lëre udhën tënde në duart e Zotit,
ki besim tek ai e ai do të veprojë.
6 Drejtësinë tënde do ta bëjë të shndritë si drita,
të drejtën tënde porsi mesdita.
Dalet
7 Hesht para Zotit e prite me durim,
mos u zemëro me atë që i shkon mbarë,
me njeriun që thur dredhi.
He
8 Hiq dorë nga zemërimi e rri larg tërbimit,
mos u zemëro, që të mos bësh të keqen.
9 Se keqbërësit do të shfarosen,
por ata që shpresojnë në Zotin do të trashëgojnë tokën.
Vau
10 Edhe pak e i paudhi nuk do të jetë më.
Do të shohësh për nga vendi i tij
e nuk do të jetë më atje.
11 Skamnorët do të trashëgojnë tokën
e do të kënaqen me paqe të begatë.
Zain
12 I paudhi ngre kurthe kundër të drejtit
e kërcëllin dhëmbët kundër tij.
13 Por Zoti do të qeshë me të,
se e sheh që po i vjen dita.
Het
14 Të paudhët vringëllojnë shpatën e harkun ndehin,
për të plandosur të mjerin e nevojtarin,
për të shfarosur ata që ecin udhës së drejtë.
15 Shpata do t'u hyjë në zemrën e vet,
harqet e tyre do të thyhen.
Tet
16 Më mirë ajo pak që ka i drejti,
sesa pasuria e shumë të paudhëve.
17 Krahët e të paudhëve do të thyhen,
ndërsa të drejtët i përkrah Zoti.
Jod
18 Zoti i njeh mirë ditët e të ndershmëve,
trashëgimia e tyre do të mbetet përherë.
19 Ata nuk do të turpërohen në kohë fatkeqësie,
të nginjur do të jenë edhe në ditë urie.
Kaf
20 Por të paudhët do të marrin fund,
armiqtë e Zotit do të vyshken si bukuria e lëndinës,
si tymi do të fashiten.
Lamed
21 I paudhi merr hua e nuk e kthen,
ndërsa i drejti tregon mëshirë e jep.
22 Të bekuarit do të trashëgojnë tokën,
të mallkuarit do të shfarosen.
Mem
23 Se Zoti i forcon hapat e njeriut,
kur i pëlqen udha e tij.
24 Po të rrëzohet, nuk do të dërrmohet,
se Zoti e mban për dore.
Nun
25 Kam qenë i ri e tashmë jam plakur
dhe s'e kam parë të drejtin të braktisur,
as pasardhësit e tij të lypin për bukë.
26 Gjithë ditën tregohet i mëshirshëm e jep hua,
pasardhësit e tij do të jenë të bekuar.
Samek
27 Kthehu prej së keqes, bëj të mirën
dhe do të kesh një banesë të përjetshme.
Ain
28 Se Zoti e do drejtësinë
dhe besnikët e vet nuk i braktis, por i ruan përjetë,
ndërsa pasardhësit e të paudhëve do të shfarosen.
29 Të drejtët do të trashëgojnë tokën
e në të do të banojnë përherë.
Pe
30 Goja e të drejtit ligjëron urti,
gjuha e tij shpall gjykim të drejtë.
31 Ligjin e Perëndisë së vet e ka në zemër,
hapat e tij nuk do të lëkunden.
Cade
32 I paudhi e përgjon të drejtin
dhe kërkon ta vrasë.
33 Por Zoti nuk do ta lërë në duart e tij
dhe, nëse e gjykojnë, s'do të lejojë ta dënojnë.
Kof
34 Prite Zotin e mbaj udhën e tij.
Ai do të të madhërojë, që të trashëgosh tokën,
dhe ke për të parë shfarosjen e të paudhëve.
Resh
35 E pashë të paudhin tek bëhej i furishëm,
tek harlisej si pema tërë gjethe.
36 Por ja që u shua e më nuk është,
e kam kërkuar, por s'e kam gjetur dot.
Sin
37 Vështroje të përkryerin e shihe të drejtin,
njeriut të paqes i përket e ardhmja.
38 Të gjithë ligjshkelësit do të shkatërrohen,
të paudhët nuk do të kenë të ardhme.
Tau
39 Shpëtimi i të drejtit vjen prej Zotit,
ai është streha e tyre në kohë fatkeqësie.
40 Zoti i ndihmon e i çliron,
ai i çliron nga të paudhët e i shpëton,
se tek ai gjetën strehë.
Psallm’ e Davidit.
1 Mos u zemëro për punë të këqijvet, as mos ki zmir punëtorët’ e pa-udhënisë.
2 Se kanë me u këputunë shpeit porsi barë, edhe kanë me u vyshkunë porsi barisht’ e ngjomë.
3 Shpëre mbë Zotinë, edhe ban të mirënë, rri ndë dhet, edhe kullot të vërtetënë.
4 Edhe prahu mbë Zotinë, edhe ka me të dhanë qish kërkon zemëra jote.
5 Len’ udhënë tande mbë Zotinë, edhe shpëre mb’atë, edhe ai ka me ta bamë.
6 Edhe ke me nxierrë dreitëninë tande porsi dritë, edhe gjyqinë tand porsi mies-ditë.
7 Prahu mbë Zotinë, edhe prit-e me durim; mos u zemëro për atë qi vete mbarë nd’udhë të vet, për njeri qi punon pa-udhë.
8 Pusho zemëriminë, edhe lenë mëninë; mos u zemëro, qi të bajsh keq.
9 Se të këqijtë kanë me u bierrë, por ata qi presinë Zotinë, këta kanë me trashiguem dhenë.
10 Sepse edhe pakëzë, edhe i pa-besi s’do të jetë ma , edhe ke me kërkuem vendin’ e ati, edhe s’ka me u gjindunë,
11 por të butëtë kanë me trashiguem dhenë, edhe kanë me u kënaqunë, ndë shumë paqtim.
12 I pa-besi shpif ndër mend punë kundrë të dreitit, edhe ngërcëllon dhambët’ e vet kundrë ati.
13 Zoti ka me qeshunë me atë, sepse shef se po vien dita e ati.
14 Të pa-besëtë hoqnë shpatënë, edhe ngrefnë harkun’ e vet, për me vumë poshtë të vobegun’ edhe të nevojëshiminë, për me therë udhë-dreitëtë.
15 Shpata e atyne ka me hymë ndë zemërë t’atyne, edhe harqet’ e atyne kanë me u thyem.
16 Ma e mirë asht’ e pakëta e të dreitit, se pasëja e shumë të pa-besëvet.
17 Se krahat’ e të pabesëvet kanë me u thyem, por Zoti forcon të dreitëtë.
18 Zoti ngjef ditt’ e faqe-bardhëvet, edhe trashigimi i atyne ka me qenunë për gjithë jetënë.
19 S’kanë me u turpënuem ndë kohë të keqe, edhe kanë me u ngimë ndë ditt unie.
20 Por të pa-besëtë kanë me u bierrë, edhe anëmiqt’ e Zotit kanë me u tretunë porsi dhiamët e qingjavet, kanë me u shpërdamë porsi tym.
21 I pa-besi huahet’ e nuk’ ep prapë, por i dreiti përdëllen e ep.
22 Se të bekuemit’ e ati kanë me trashiguem dhenë, por të mallëkuemit’ e ati kanë me u bierrë.
23 Kur ndreqenë hapat’ e njeriut prei Zotit, ai pëlqen fort udhën’ e ati.
24 Ndë raftë, s’ka me u dërrmuem, se Zoti e mba për dore.
25 Qeshë i ri, edhe tashti u plakshë, edhe s’pashë ndonji të dreitë hequnë dorë prei ati, as farën’ e ati të lypi bukë.
26 Gjithë ditënë përdëllen edhe huan, edhe fara e ati ashtë ndë bekim.
27 Mërgohu prei së keqesë, edhe ban mirë, edhe ke me mbetunë ndë jetë të jetësë.
28 Se Zoti do gjyq, edhe s’heq dorë prei të dreitëvet; për gjithë jetënë kanë me u rueitunë, por fara e të pa-besëvet ka me u bierrë.
29 Të dreitëtë kanë me trashiguem dhenë, edhe kanë me ndenjunë nd’atë për gjithë jetënë.
30 Goja e të dreitit ligjëron dituni, edhe gjuha e ati flet gjyq.
31 Ligja e Perëndisë ati ashtë ndë zemërë t’ati, hapat’ e ati s’kanë me rrëshqitunë.
32 Fajtori përgjon të dreitinë, edhe kërkon me e vramë.
33 Zoti s’ka me e lanë ndë dorët t’ati, as s’ka me e dënuem, kur ta gjykojë.
34 Prit Zotinë, edhe ruei udhën’ e ati, edhe ka me të naltuem, qi të trashigojsh dhenë; kur të birenë të pa-besëtë, ke me pamë.
35 Pashë të pa-besinë naltuem tepërë, edhe shtrimë porsi larin’ e ngjomë,
36 por shkoi, edhe qe te s’ashtë ma, edhe e kërkova, por s’u gjind.
37 Shiko të pa-keqinë, edhe shif të dreitinë, se njeriu i paqtueshim ashtë lanë.
38 Por ata qi dalinë jashtë udhësë kanë me u bierrë kreit, të lanët’ e të pabesëvet ka me u këputunë.
39 Por shpëtim’ i të dreitvet ashtë prei Zotit, ai ashtë fuqia e atyne ndë kohë të shtrëngimit.
40 Edhe Zoti ka me u ndimuem, edhe me i rueitunë, ka me i liruem prei të pabesëvet, edhe ka me i shpëtuem, sepse shpëryenë mb’atë.