1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
2 Të dëgjoftë Zoti ditën e fatkeqësisë,
emri i Perëndisë së Jakobit të mbrojttë!
3 Të dërgoftë ndihmë prej shenjtërores
e prej Sionit përkrahje të dhëntë!
4 Iu kujtofshin gjithë dhuratat e tua,
flija jote e shkrumbimit i pëlqeftë! selah
5 Të dhëntë çka të do zemra,
gjithë synimet e tua i plotësoftë.
6 Do të brohorasim për fitoren tënde
dhe në emrin e Perëndisë tonë
flamujt lart do t'i ngremë.
Zoti t'i plotësoftë të gjitha kërkesat!
7 Tani e di se Zoti e shpëton të vajosurin e tij,
prej qiellit të tij të shenjtë e ndihmon
me fuqinë shpëtimtare të së djathtës së tij.
8 Disa kanë shpresë te qerret, të tjerë te kuajt,
por ne thërrasim emrin e Zotit, Perëndisë tonë.
9 Ata u këputën e ranë,
por ne u ngritëm e qëndruam.
10 O Zot, shpëtoje mbretin.
Na dëgjoftë mbreti kur ta thërrasim.
Mbë të parinë kankatuer. Psallm’ e Davidit.
1 Të ndëgjoftë Zoti ndë ditë të shtrëngimit! Të vuftë mbë vend të naltë emëni i Perëndisë Iakobit!
2 Të dërgoftë ndifmë prei të shenjtënuemit vend , edhe të forcoftë prei Sionësë!
3 Kuitoftë gjithë dhunëtiat’ e tua, edhe të prittë kurban gjithë-dieguninë! Selah.
4 Të dhashtë mbas zemrësë s’ate, edhe mbaroftë gjithë këshillënë tande!
5 Kemi me u gëzuem për shpëtiminë tand, edhe kemi me ngritunë nalt shenjëtë mb’emënit të Perëndisë; Zoti mbaroftë gjithë të lypunat’ e tua!
6 Tashti e ngjofta, se Zoti shpëtoi të lyemin’ e vet; ka me e ndëgjuem prei qiellit shenjtënisë vet; shpëtimi i së diathtës’ ati ashtë me fuqi.
7 Disa mburrenë ndë kerre, e disa ndë kual’, por na kemi me kuituem emënin’ e Zotit Perëndisë t’onë.
8 Këta rrëshqitnë edhe ranë, por na u ngritëm, edhe ndenjëm dreitë.
9 O Zot, shpëto mbëretinë, edhe ndëgjo-na, atë ditë qi të thërresim.