1 Lutje e Davidit.
Dëgjo, o Zot, çështjen e drejtë!
Vëri re klithmës sime,
dëgjoje lutjen time,
që nuk del nga buzë dredharake.
2 Prej teje gjetsha drejtësi,
sytë e tu dallofshin të drejtën.
3 Shqyrtoje zemrën time natën,
vëmë në provë, por gjë s'do të gjesh.
Kam menduar gjëra në mendjen time,
por goja ime nuk ka nxjerrë ligësi.
4 Sa për veprat e njerëzve,
përmes fjalëve të buzëve të tua
e kam ruajtur veten nga udhët e dhunës.
5 Hapat e mi kanë qëndruar në shtigjet e tua,
këmbët e mia nuk janë dridhur.
6 Ty po të thërras,
përgjigjmu, o Perëndi!
Ktheje veshin nga unë
e dëgjoji fjalët e mia!
7 Tregomë mirësinë tënde madhështore,
ti që prej kundërshtarëve shpëton
ata që tek e djathta jote shpresojnë.
8 Ruajmë si beben e syrit,
mbulomë nën hijen e krahëve të tu,
9 larg të paudhëve që më përndjekin,
armiqve gjakatarë që më kanë rrethuar.
10 Janë trashur nga dhjami,
goja e tyre flet tërë mburrje.
11 Më gjurmuan e më kanë rrethuar,
m'i kanë ngulur sytë për të më hedhur përtokë.
12 Janë si luani, të etur për të gjuajtur,
si këlyshi i luanit, që fshihet e zë pusi.
13 Ngrihu, o Zot, dili përpara, mposhte,
shpëtoma jetën prej të paudhit me shpatën tënde.
14 Shpëtomë prej vdekatarëve,
me dorën tënde, o Zot,
prej vdekatarëve të kësaj bote.
Mbushua barkun me çfarë ke ruajtur për ta,
që bijtë e tyre të ngopen
e t'u lënë me tepri fëmijëve të tyre.
15 E unë, falë drejtësisë sate, do të shoh fytyrën tënde,
do të zgjohem e do të kënaqem me praninë tënde.
Urata e Davidit.
1 Ndëgjo, o Zot, të dreitënë, ki kujdes lutëjesë s’eme, mba-i vesh uratësë s’eme, qi epetë jo me buzë gënjeshtare.
2 Daltë gjyqi em prei faqesë s’ate: syt’ e tu pafshinë të dreita.
3 Shikove zemërënë t’eme, vune ore ate natënë, më shprovove, edhe nuk’ u gjind e shtrembëtë tek unë, mendimi em s’dan prei fjalëvet mia.
4 Sa për punët’ e njerëzëvet, unë, me anë të fjalëvet buzëvet tua, u rueita prei udhëvet të pa-udhëvet.
5 Forco hapat’ e mia mb’udhët tua, qi të mos luejënë kambët’ e mia.
6 Unë thirra mbë tyi, se ke me më ndëgjuem, o Perëndi; ul’ veshinë tand tek unë, edhe ndëgjo fjalët e mia.
7 Ban të mërekullueshim përdëllimet’ e tu, ti qi shpëton ata qi shpërejënë mbë tyi prei atyneve qi janë ngritunë mbë kambë kundrë së diathtësë s’ate.
8 Ruei-më porsi dritën’ e synit, mbëlo-më ndënë hiet të fletëvet tua,
9 prei sysh të pabesëvet qi më shkretojënë; anëmiqt’ e mi qarkuenë shpirtinë t’em.
10 U majnë tepërë, goja e atyne flet madhështi.
11 Tashti qarkuenë gjurmatë t’ona, ngulnë syt’ e vet, për me na rrëzuem për dhe;
12 shëmbëllejënë porsi leon, kur bahetë gati për gja, edhe porsi këlysh leoni, qi rri ndë të mpëshefta.
13 Ngreu, o Zot, mbërri atë, edhe rrëzo atë, shpëto shpirtinë t’em prei të pa-besit, me shpatënë tande, prei njerëzish dorësë s’ate,
14 o Zot, prei njerëzish botësë, të cillëtë marrinë piesën’ e vet ndë këtë jetë, edhe mbush barkun’ e atyne prei së mpëshefunavet të miravet tua; u mbushnë me dielm’, edhe lanë të mbetunatë foshnjevet veta.
15 Por unë kam me pamë faqenë tande me dreitëni, kam me u ngimë së pami tyi, kur të çohem.