1 Psalm lavdërimi, i Davidit.
Alef
Do të të lartësoj, o Perëndi, Mbreti im,
do ta bekoj emrin tënd përjetë e në amshim.
Bet
2 Çdo ditë do të të bekoj,
emrin tënd do ta lavdëroj përjetë e në amshim.
Gimel
3 I madh është Zoti e fort i lavdërueshëm,
madhështia e tij e pashqyrtueshme.
Dalet
4 Breznia breznisë do t'ia lëvdojë veprat e tua,
do t'i shpallë mrekullitë e tua.
He
5 Shkëlqimin e lavdishëm të madhështisë sate
dhe veprat e tua të mrekullueshme do të përsiatë.
Vau
6 Do të flasin për fuqinë e bëmave të tua,
e unë, do të kumtoj madhështinë tënde.
Zain
7 Do të përhapin kujtimin e mirësisë sate të madhe,
do të brohorasin për drejtësinë tënde.
Het
8 I mëshirshëm e i dhembshur është Zoti,
i ngadaltë në zemërim e plot mirësi.
Tet
9 I mirë është Zoti me të gjithë,
i dhembshur me gjithë krijesat e tij.
Jod
10 Gjithë veprat e tua do të të përlëvdojnë, o Zot,
besnikët e tu do të të bekojnë.
Kaf
11 Do të flasin për lavdinë e mbretërisë sate,
do të rrëfejnë për fuqinë tënde.
Lamed
12 Do t'u shpallin bijve të njerëzve bëmat e tua
dhe lavdinë e madhështisë së mbretërisë sate.
Mem
13 Mbretëria jote është mbretëri e amshuar,
pushteti yt është brez pas brezi.
Samek
14 Zoti i përkrah tërë ata që pengohen
e i ngre tërë të kërrusurit.
Ain
15 Të gjithë i kanë sytë nga ti e presin,
që t'u japësh ushqimin në kohën e duhur.
Pe
16 Ti e hap dorën
dhe çdo qenieje të gjallë ia plotëson dëshirën.
Cade
17 I drejtë është Zoti në gjithë udhët e tij,
besnik në të gjitha veprat e tij.
Kof
18 Zoti është pranë të gjithë atyre që e thërrasin,
të gjithë atyre që e thërrasin me çiltërsi.
Resh
19 Ua plotëson dëshirën atyre që e druajnë,
ua dëgjon përgjërimin e i shpëton.
Sin
20 Zoti i mbron të gjithë ata që e duan,
ndërsa tërë të paudhët do t'i shkatërrojë.
Tau
21 Goja ime do të shpallë lavdërim për Zotin,
çdo gjallesë do të bekojë emrin e tij të shenjtë,
përjetë e në amshim.
Lavduria e Davidit.
1 Kam me të naltuem, o Perëndia em, Mbëret, edhe kam me bekuem emëninë tand për gjithë jetënë, edhe për gjithë jetënë.
2 Përditë kam me të bekuem, edhe kam me lavduem emëninë tand për gjithë jetënë, edhe për gjithë jetënë.
3 Zoti asht’ i math, e fort i lavdurueshim, edhe madhënis’ ati s’i gjindetë fund.
4 Brezi brezit ka me lavduruem punët’ e tua, edhe ka me treguem fuqinë tande.
5 Kam me folë për madhënin’ e lavdisë shenjtënisë s’ate, edhe për punët e tua të mërekullueshimetë;
6 edhe kanë me folë për fuqin’ e punëvet tua të frikshimevet, edhe kam me treguem madhëninë tande.
7 Kanë me prumë ndër mend të shumën’ e së mirësë s’ate, edhe kanë me u gëzuem për dreitëninë tande.
8 Zoti asht’ i dhimpshim edhe i përdëllyeshim, zemërë-gjanë edhe përdëllim-math;
9 Zoti asht’ i mirë mbë të gjithë, edhe përdëllimet’ e ati janë mbi gjithë punët e ati.
10 Gjithë punët’ e tua, o Zot, kanë me të lavduruem, edhe të dreitët’ e tu kanë me të bekuem.
11 Kanë me thanë për lavdin’ e mbëretënisë s’ate, edhe kanë me folë për madhëninë tande.
12 Për me bamë të ditunë te të bijt’ e njerëzëvet madhënin’ e ati, edhe lavdin’ e madhënisë mbëretënis’ ati.
13 Mbëretënia jote ashtë nji mbëretëni e gjithë jetëvet, edhe pushteti yt ashtë mbë gjithë brezat.
14 Zoti ngre gjith’ ata qi bienë, edhe dreiton gjith’ ata qi janë të kurrusunë.
15 Syt’ e të gjithëve shpërejënë mbë tyi, edhe ti u ep ushqiminë me kohë.
16 Hap dorënë tande, edhe mbush me të mira çdo gja të gjallë.
17 Zoti asht’ i dreitë mbë gjith’ udhët e veta, edhe i mirë mbë gjithë punët e veta.
18 Zoti ashtë ndaj gjith’ ata qi thërresinë mb’ate, ndaj gjith ata qi thërresinë mb’ate me të vërtetë.
19 Ban dëshërimin’ e atyne qi e druejënë, edhe ndigjon të bërtitunit’ e atyne, edhe i shpëton.
20 Zoti ruen gjith’ ata qi e duenë, edhe ka me prishunë gjithë të pa-besëtë.
21 Goja eme ka me folë lavdurimin’ e Zotit, edhe çdo mish le të bekojë të shenjtënuemin’ emënin’ e ati për gjithë jetënë, edhe për gjithë jetënë.