1 Mjeshtrit të korit. Psalm i Davidit.
O Zot, ti më ke shqyrtuar e më njeh.
2 Ti e di kur ulem e kur ngrihem,
mendimet nga larg m'i kupton.
3 Më vëzhgon kur eci e kur pushoj,
gjithë udhët e mia mirë i njeh.
4 Pa folur goja ime,
ti, o Zot, di çdo gjë.
5 Para meje e mbrapa meje je ti,
dora jote qëndron mbi mua.
6 Mahnitëse është dija jote për mua,
tepër e lartë e unë s'e arrij.
7 Ku të shkoj larg shpirtit tënd?
Ku të iki larg pranisë tënde?
8 Po të ngjitem në qiell, atje je ti,
po të dergjem në skëterrë, ti je aty.
9 Po të merrja krahët e mëngjesit
e përtej detit të shkoja,
10 edhe atje do të më udhëhiqte dora jote,
do të më mbante e djathta jote.
11 Edhe po të thosha: «Më mbuloftë errësira
e drita përreth meje u errësoftë»,
12 errësira për ty nuk është errësirë
e nata ndriçon si dita;
për ty errësira dhe drita janë njëlloj.
13 Ti e krijove brendinë time,
më ende që në bark të nënës.
14 Të lavdëroj se mrekullisht më krijove,
të mahnitshme janë veprat e tua,
mirë e di shpirti im.
15 Kockat e mia nuk ishin të fshehta për ty,
kur krijohesha në fshehtësi,
kur merrja trajtë në thellësitë e tokës.
16 Kur isha pa trajtë, më panë sytë e tu.
Të gjitha ditët që caktove, në librin tënd ishin shkruar,
pa u krijuar asnjë prej tyre.
17 Sa të çmuara janë për mua mendimet e tua, o Perëndi!
Sa i madh është numri i tyre!
18 Po t'i numëroj, janë më shumë se rëra.
Zgjohem e jam ende me ty.
19 Sikur t'i zhbije të paudhët, o Perëndi!
Shporruni prej meje, o njerëz gjakatarë.
20 Ata flasin kundër teje me dredhi,
më kot ngrihen armiqtë e tu .
21 Si të mos i urrej ata që të urrejnë, o Zot,
si të mos i përbuz kundërshtarët e tu?
22 Ndiej vetëm urrejtje për ta,
i kam bërë armiq.
23 Shqyrtomë, o Perëndi, dhe njihe zemrën time,
vëmë në provë dhe njihi brengat e mia.
24 Shiko në shkoj udhës së ligë
dhe në udhën e përjetësisë më pri.
Mbë të parinë kankatuer. Psallm’ e Davidit.
1 O Zot, më shprovove, edhe më ngjofte.
2 Ti ngjef të ndenjunitë t’em, edhe të ngritunitë t’em; ti kupëton mendimet’ e mi çë së largu.
3 Shikon t’ecunitë t’em, edhe të diergunitë t’em, edhe ngjef gjith’ udhët’ e mia.
4 Se edhe pa ardhunë fjala ndë gjuhët t’eme, qe, o Zot, ti ngjef të gjitha.
5 Më qarkon mbrapa e përpara, edhe vune dorënë tande mbi mue.
6 Këjo dituni ashtë fort e mërekullueshime tek unë, asht’ e naltë, s’mundem me e mbërrimë ate.
7 Ku të vete prei frymësë s’ate? Edhe ku të ikij prei faqesë s’ate?
8 Ndë hipsha ndë qiell, tije atie; ndë rafsha ndë ferr, qe ti tek je atie ;
9 ndë marrsha fletët’ e të gëdhimesë, edhe të rri ndë fundnat të detit,
10 edhe atie dora jote ka me më hiekun’ udhënë, edhe e diathta jote ka me më mbaitunë.
11 Ndë thansha: Por errësina ka me më mbuluem, edhe nata ka me qenunë dritë rreth meje,
12 edhe ajo errësina s’mbulon gja prei teje, edhe nata ndrit si dita, edhe porsi errësina, kështu edhe drita janë si nji nji te ti.
13 Se ti bane veshnjet’ e mia, më mpështolle ndë barkut t’amësë s’eme.
14 Kam me të lavduruem, se të gatuemitë t’em u ba me punë të frikshime e të mërekullueshime, punët’ e tua janë të mërekullueshime,
15 edhe shpirti em fort mirëi ngjef. Eshtënat’ e mia nuk’ u mpshefnë prei teje, kur i baishie ndë të mpshefëtë, as të qenunitë t’em ndë fundnat të dheut.
16 Syt’ e tu panë brumin’ e korpit t’em ndë fundnat të dheut. Syt’ e tu panë brumin’ e korpit t’em çë pa punuem, edhe gjithë këto qenë shkruem ndë libër tand, edhe dittë kur gatuheshinë, edhe kur nukë qe as nji prei këtyne.
17 Fort të vëjefshim janë mendimet’ e tu për mue, o Perëndi! Fort u shumue numëri i atyne!
18 Ndë kishiem me i numëruem, kapërcein’ edhe ranënë; çohem, edhe jam por bashkë me ty.
19 Vërtet ke me vramë të pabesëtë, o Perëndi; largohi pra prei meje, o burra gjaksorë.
20 Se ata thonë keq ndër mend për ty; anëmiqtë zanë n’gojë emëninë tand mbë të kotë.
21 Nukë kam mëni unë, o Zot, ata qi të kanë mëni? Edhe nukë zemërohem për ata qi janë ngritunë kundrë teje?
22 Me mëni të madhe i kam mëni ata, i kam për anëmiq.
23 Shprovo-më, o Perëndi, edhe ngjif zemërënë t’eme; shiko-më, edhe ngjif mendimet’ e mi;
24 edhe shif, nd’ashtë tek un’ udh’ e shtrembëtë, edhe hiq-më mbë udhët të përjetëshime.