1 Përlëvdoni Zotin, se është i mirë,
se mirësia e tij mbetet përjetë.
2 Le ta thonë të shpenguarit prej Zotit,
ata që prej dorës së armikut i shpengoi
3 e bashkë i mblodhi prej vendeve të huaja,
prej lindjes e prej perëndimit,
prej veriut e prej anës së detit.
4 Endeshin nëpër shkretëtirë, në vend të thatë,
pa e gjetur udhën për ndonjë qytet të banuar.
5 Kishin uri, kishin etje,
po u këputej shpirti.
6 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
7 U priu në një udhë të drejtë,
që në një qytet të banuar të shkonin.
8 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
9 Se ai e ngiu shpirtin e të eturit,
me të mira e mbushi shpirtin e të uriturit.
10 Banonin në errësirë e në terr,
të robëruar në mjerim e në pranga.
11 Kishin kundërshtuar urdhrin e Perëndisë,
kishin përbuzur këshillën e të Tejlartit.
12 Prandaj ua përuli zemrën me mundime,
u rrëzuan e s'kish kush t'i ndihmonte.
13 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
14 Prej errësirës e prej territ i nxori,
vargonjtë e tyre i këputi.
15 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
16 Ai i copëtoi portat prej bronzi,
shulat prej hekuri i theu.
17 Ishin marrosur prej jetës së shthurur,
ishin mjeruar prej paudhësisë së tyre.
18 Nuk u donte shpirti asnjë lloj ushqimi,
kishin mbërritur te portat e vdekjes.
19 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i shpëtoi prej mjerimeve.
20 Fjalën e vet dërgoi e i shëroi,
prej gropës së varrit i shpëtoi.
21 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
22 Le t'i kushtojnë fli falënderimi,
le të shpallin veprat e tij me ngazëllim.
23 Ata që lundrojnë në det me anije,
që nëpër ujërat e shumtë bëjnë tregti,
24 ata i kanë parë veprat e Zotit
dhe mrekullitë e tij nëpër thellësi.
25 Ai foli dhe shpërtheu era e stuhishme,
dallgët e detit lart u ngritën.
26 Ngjiten në qiell, zbresin në humnerë,
shpirti u këputet prej rrezikut.
27 Lëkunden e dridhen si të dehur,
tërë mjeshtëria u është sosur.
28 Mes fatkeqësisë i thirrën Zotit
dhe ai i nxori prej mjerimeve.
29 Stuhinë e bëri bunacë,
u qetësuan valët e detit.
30 Prej qetësimit të valëve u gëzuan,
në limanin e dëshiruar ai u priu.
31 Le të përlëvdojnë Zotin për mirësinë e tij,
për mrekullitë e tij për bijtë e njerëzve.
32 Le ta lartësojnë në kuvendin e popullit,
le ta lavdërojnë në këshillin e pleqve.
33 Ai i ktheu lumenjtë në shkretëtirë,
burimet e ujërave në vend të thatë.
34 Tokën pjellore e ktheu në kripore,
për shkak të ligësisë së banorëve të saj.
35 Shkretëtirën e shndërroi në liqen,
tokën e thatë në burime ujërash.
36 Atje i strehoi të uriturit,
atje ngritën qytete për të banuar.
37 Mbollën ara, mbëltuan vreshta,
që dhanë prodhim të mbarë.
38 I bekoi e fort u shumuan,
bagëtinë nuk ua pakësoi.
39 Por mandej u mpakën e u poshtëruan
prej mundimit të mjerimit e dhimbjes.
40 Përçmim hodhi mbi prijësit,
i la të enden rrugë pa rrugë në shkretëtirë.
41 Të varfrin e shpëtoi nga mjerimi,
familjet ua shtoi porsi bagëtitë.
42 Do të shohin të drejtët e do të gëzojnë,
çdo paudhësi gojën do të mbyllë.
43 Kush është i urtë le t'i ruajë këto
e mirësinë e Zotit le ta kuptojë.
1 Lavduroni Zotinë, se asht’ i mirë, se përdëllimi i ati ashtë për gjithë jetënë.
2 Le të thonë kështu ata qi janë shpërblyem prei Zotit, të cillët’ i shpërbleu prei dorës’ anëmikut,
3 edhe i mbëloth prei vendesh, prei së lemi diellit , e prei së perënduemit, prei anësë borësë, e prei anësë detit.
4 Shkoishin’ andej e këndej ndë shkretinë, mb’udhë pa-ujë, nukë gjejshinë qytet për të ndenjunë.
5 Kishin’ uni e het, nuk’ u mbet shpirt.
6 Ateherë thërritnë Zotinë ndë shtrëngim të vet,
7 edhe ai i shpëtoi prei nevojavet atyne. Edhe u hoq udhënë dreitë, qi të vinë ndë qytet për të ndenjunë.
8 Le të lavdurojënë Zotinë për përdëllimet e ati, edhe për mërekullit e ati qi bani te të bijt e njerëzëvet,
9 se ngini shpirt të heçim, edhe mbushi me të mira shpirt të unëshim.
10 Ata qi rrinë ndë errësinë e ndë hie të vdekësë, të lidhunitë ndë shtrëngim e ndë hekura,
11 se nukë ndigjuenë fjalët’ e Perëndisë, edhe nuk’ e zunë për gja këshillën’ e të Naltit,
12 përandai përvuni zemërën’ e atyneve me mundime: ranë, edhe s’kishte se kush me u ndifunë.
13 Ateherë i bërtitnë Zotit ndë shtrëngim të vet, edhe ai i shpëtoi prei nevojavet atyne.
14 I nxuer prei errësinës’ e prei hiesë vdekësë, edhe këputi të lidhunat’ e atyne.
15 Le të lavdurojënë Zotinë për përdëllimet e ati, edhe për mërekullit e ati qi bani te të bijt’ e njerëzëvet,
16 se theu dyer të ramëta, edhe këputi shule të hekurtë.
17 Të marrëtë mundohenë për të dalat prei udhësë, e për pa-udhënit e veta.
18 Ç’do gjellë e ka të ndytë shpirti i atyneve, edhe afrohenë ngjer ndë dyert të vdekësë.
19 Ateherë i bërtasinë Zotit ndë shtrëngim të vet, edhe ai i shpëton prei nevojavet atyne.
20 Dërgon fjalën’ e vet, edhe i shëndosh, edhe i shpëton prei prishëjes atyneve.
21 Le të lavdurojënë Zotinë për përdëllimet e ati, edhe për mërekullit e ati qi bani te të bijt’ e njerëzëvet.
22 Edhe le të bajënë kurban lavdurimi, edhe le të tregojënë punët’ e ati me gëzim.
23 Ata qi shkojënë ndë det me barkë, edhe bajënë punë ndër shumë ujëna.
24 Këta shofinë punët’ e Zotit, edhe mërekullit’ e ati ndë thellësinat.
25 Sepse thotë, edhe ngrihetë thëllim ere, edhe ngre nalt valët’ e detit.
26 Hipinë ngjer ndë qijet, e sdripinë ngjer ndë abyssat; shpirti i atyneve tretetë prei së keqesë.
27 Tunden’ e lëkundenë porsi i deitunë, edhe gjithë ditunia e atyneve vdiretë.
28 Ateherë i bërtasinë Zotit ndë shtrëngim të vet, edhe ai i nxier prei nevojavet atyne.
29 Ban thëlliminë veri, edhe pushojënë valët’ e detit.
30 Edhe gëzohenë, se pushuenë, edhe u hiek udhënë ndë lima qi dëshërojënë.
31 Le të lavdurojënë Zotinë për përdëllimet e ati, edhe për mërekullit e ati qi bani te të bijt’ e njerëzëvet.
32 Edhe le ta naltojënë ndë përmbëledhëje të popullit, edhe le ta lavdurojënë ndë të ndenjunë të pleqësisë.
33 Ban lumënate të shkretë, edhe vruimet’ e ujënavet të thate.
34 Dhenë qi ban pemë, të ngjelmëtë, për të keqen’ e atyneve qi rrinë nd’ate.
35 Ban shkretinënë lëqenë ujënash, edhe dhen’ e thate vruimë ujënash.
36 Edhe atie ve të rrinë të unëshimitë, edhe ngrefinë qytete për të ndenjunë,
37 edhe mbiellin’ ara, e venë vëneshtë, edhe bajënë pemë e drithë.
38 Edhe i bekon, e shumohenë fortë, edhe nuk’ u pakëson bagëtinë.
39 Mbasandai pakësohenë, edhe përvihenë prei shtrëngimit, e prei së keqesë, e prei mundimit.
40 Derth shpërnderim mbi të parët, edhe i ban të sillen’ andej e këndej ndë vend të pa-shkelun’ e pa udhë.
41 Por të nevojëshimin’ e ngre prei nevojet, edhe ia ban fëmijt’ e shtëpisë, si tufë.
42 Të dreitëtë shofin’ edhe gëzohenë, por çdo pa-udhënie ka me i u mbëshelunë goja e vet.
43 Kush asht i mençim, e ve ore këto, edhe kanë me marrë vesht përdëllimet’ e Zotit.