1 Përlëvdoni Zotin, thirreni emrin e tij,
shpallni mes popujve veprat e tij.
2 Këndojini atij e thurini lavde,
kumtoni gjithë mrekullitë e tij.
3 Krenohuni me emrin e tij të shenjtë,
u gëzoftë zemra e atyre që kërkojnë Zotin.
4 Kërkojeni Zotin dhe fuqinë e tij,
kërkojeni përherë fytyrën e tij.
5 Kujtoni mrekullitë që bëri,
çuditë dhe gjykimet e gojës së tij,
6 o pasardhës të Abrahamit, shërbëtorit të tij,
o bij të Jakobit, të zgjedhurit e tij.
7 Ai është Zoti, Perëndia ynë;
mbi mbarë dheun vendimet e tij.
8 Ai e kujton përherë besëlidhjen e tij,
fjalën që urdhëroi për një mijë brezni,
9 besëlidhjen që bëri me Abrahamin,
premtimin që i dha Isakut.
10 Ia caktoi si rregull Jakobit,
Izraelit si besëlidhje përjetë,
11 kur tha: «Ty do të ta jap tokën e Kanaanit
si pjesë të trashëgimisë suaj»,
12 kur ishin të hequr në numër,
të paktë e ardhacakë,
13 tek endeshin nga një komb te tjetri,
nga një mbretëri te një tjetër popull.
14 Nuk lejoi t'i shtypte askush,
mbretërit për hir të tyre qortoi:
15 «Mos m'i prekni të vajosurit,
profetët e mi mos i lëndoni».
16 Urinë solli në atë vend,
theu çdo enë buke.
17 Dërgoi para tyre një njeri,
Jozefin, që u shit si skllav.
18 Me pranga ia shtrënguan këmbët,
hekura i vunë rreth qafës,
19 derisa u përmbush fjala e tij,
fjala e Zotit e sprovoi atë.
20 I dërgoi fjalë mbreti që ta lironin,
sunduesi i popujve e la të lirë.
21 Zot të shtëpisë së tij e bëri,
sundues mbi gjithë zotërimin e tij,
22 që t'i ndreqte princat sipas gjykimit të tij
e t'u mësonte pleqve urtinë.
23 Atëherë Izraeli shkoi në Egjipt,
Jakobi u vendos në tokën e Kamit.
24 Dhe Zoti e shtoi shumë popullin e vet,
më të fortë se armiqtë e tij e bëri.
25 Ua ndryshoi zemrën egjiptianëve,
që popullin e tij ta urrenin,
që kundër shërbëtorëve të tij
me dredhi të silleshin.
26 Dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij,
Aronin, që vetë e kishte zgjedhur.
27 Kryen mes tyre shenjat e tij,
mrekullitë në tokën e Kamit.
28 Dërgoi errësirën e u bë terr,
fjalët e tij nuk i kundërshtoi kush .
29 Ujërat ua ktheu në gjak,
peshqit i ngordhi.
30 Vendi i tyre gëloi me bretkosa,
deri edhe në dhomat e mbretërve.
31 Foli Zoti e u vërsulën mori mizash,
mushkonjat mbarë trojet mbuluan.
32 U dërgoi breshër në vend të shiut,
flakë zjarri mbi vendin e tyre.
33 Ua goditi vreshtat e fiqtë,
pemët e tokave të tyre i theu.
34 Foli dhe ia behën karkalecat,
vemje, që s'kishin të numëruar.
35 Ua hëngrën gjithë bimësinë e vendit,
prodhimet e tokës ua përpinë.
36 Goditi gjithë të parëlindurit e vendit,
frytin e parë të pjellorisë së tyre.
37 I nxori izraelitët me argjend e me ar,
ndër fiset e tyre s'kish njeri të këputur.
38 U gëzua Egjipti kur ata u nisën,
se i kishte zënë tmerri prej tyre.
39 Renë shtriu për t'i mbuluar,
zjarrin për t'u bërë dritë natën.
40 Kërkuan e shkurta u dërgoi,
me bukë prej qiellit i ngiu.
41 Çau shkëmbin e buruan ujëra,
lumenj rrodhën nëpër shkretëtirë.
42 I ra ndër mend fjala e tij e shenjtë,
që Abrahamit, shërbëtorit të tij, i kishte thënë.
43 Popullin e vet e nxori me ngazëllim,
plot gëzim të zgjedhurit e tij.
44 Tokat e kombeve u dha,
mundin e popujve trashëguan,
45 që të mbajnë rregullat e tij
e të zbatojnë ligjet e tij.
Aleluja!
1 Lavduroni Zotinë, edhe thërritni mb’emënit t’ati; diftoni kombevet punët’ e ati.
2 Këndoni ati, edhe psallni ati, tregoni gjithë mërekullit’ e ati.
3 Mburri mb’emënin’ e ati të shenjtënueminë, u gëzoftë zemëra e atyneve qi kërkojënë Zotinë.
4 Kërkoni Zotinë, edhe fuqin’ e ati; kërkoni faqen’ e ati përherë.
5 Përmendni mërekullit’ e ati, qi bani, shenjet’ e ati të frikshimetë, edhe gjyqet’ e gojës’ ati.
6 O far’ e Abrahamit, shërbëtorit ati, o bijt’ e Iakobit, të zgjedhunit’ e ati.
7 Ai ashtë Zoti Perëndia ynë, mbë gjithë dhenë janë gjyqet’ e ati.
8 Përmendni përherë dhiaten’ e ati, fjalënë qi porositi mbë nji mijë breza.
9 Ate dhiatenë qi bani me Abrahaminë, edhe ben’ e ati qi bani tek Isaaku,
10 edhe e vuni te Iakobi për urdhënë, edhe tek Israeli për dhiate të përherëshime,
11 tue thanë: Ty kam me të dhanë dhen’ e Hanaanit, rrypin’ e trashigimit tuei.
12 Kur ishin’ ara të pakë ndë numërit, fort të pakë e të huej nd’ate,
13 edhe shkoishinë prei kombi ndë komp, prei mbëretënie ndë tietërë popull,
14 s’la njeri me u bamë keq atyne, por qirtoi mbëretën për ata,
15 e tha : Mos përkitni të lyemit’ e mi, edhe mos u bani keq profetëvet mi.
16 Edhe pru zi buke mbi dhet, theu çdo forcat buke.
17 Dërgoi përpara atyneve njeri, Iosefinë qi u shit për shërbëtuer,
18 të cillit i shtrënguenë kambëtë me litar; shpirti i ati hoqi hekurë,
19 ngjer sa të vinte fjala’ e ati, fjala e Zotit shprovoi ate.
20 Dërgoi mbëreti, edhe e sgjidhi, i pari i popujvet, edhe e la.
21 E bani të zotin’ e shtëpisë vet, edhe të parin’ e gjithë gjasë vet,
22 për me munduem të parët’ e ati si të doj vetë, edhe me u mësuem dituni pleqvet ati.
23 Ateherë erdhi Israeli ndë Misirë, edhe Iakobi u ngul’ ndë dhet të Hamit.
24 Edhe Zoti shtoi fort popullin’ e vet, edhe e bani ma të fortë se anëmiqt’ e ati.
25 Këtheu zemërën’ e atyneve për me marrë mëni popullin’ e ati, për me gënjyem shërbëtorët’ e ati.
26 Dërgoi Moisenë shërbëtorin’ e vet, edhe Aaroninë qi sgjodhi.
27 Diftuenë ndër ata fjalët e shenjevet ati, edhe mërekullitë ndë dhet të Hamit.
28 Dërgoi errësinë, edhe u err, edhe nukë ndigjuenë fjalët’ e ati.
29 Këthehu ujënat e atyneve mbë gjak, edhe vrau peshqit’ e atyneve.
30 Dheu i atyneve nxori bretëkosa ngjer ndë qilarët të mbëretënavet atyne.
31 Tha, edhe erthnë miza qensh, edhe mëshkaja mbë gjithë sinoret e atyneve.
32 U lishoi breshënë ndë vend të shiut, edhe flakë ziarrmi ndë dhet t’atyneve.
33 Edhe u ra vëneshtëvet atyne, edhe drunavet fiqvet atyne, edhe theu drunat’ e sinorevet atyne.
34 Tha, edhe erthnë karcaleca e krymba qi s’kishinë të ngjehunë,
35 edhe hangrën gjithë barin’ e dheut atyne, edhe hangrën pemët’ e dheut atyne.
36 Edhe vrau çdo dialë paralindës ndë dhet t’atyneve, ballin’ e gjithë fuqis’ atyneve.
37 Edhe nxuer ata me argjand e me ar, edhe s’qe ndonji i sëmunë ndër farat e atyneve.
38 U gëzue Misiri për të dalët e atyneve, se i kishte marrë frika prei atyneve.
39 Hapi re për me i mbuluem, edhe ziarrm për me ndritunë natenë.
40 Lypnë, edhe u pruni shkurtëza, edhe i ngini me bukë qielli.
41 Çau gurin, edhe vrujoi ujë, rrothnë lumënate ndë vende të thate.
42 Se i ra ndër mend fjala e vet e shenjtënuemeja, tek Abrahami shërbëtori i vet.
43 Edhe nxuer popullin’ e vet me gëzim, të sgjedhunit’ e vet me ngazëllim,
44 edhe u dha dhenat’ e kombevet, edhe trashiguenë mundimet’ e popujvet,
45 qi të rueishin’ urdhënimet’ e ati, edhe të mbaishinë ligjat’ e ati. Alleluia.