1 Lutje e të mjerit, kur është i hidhëruar dhe brengën e tij e nxjerr para Zotit.
2 O Zot, dëgjoje lutjen time
e klithma ime ardhtë te ti.
3 Mos e fshih fytyrën tënde prej meje
ditën e fatkeqësisë sime,
prire veshin tënd drejt meje
ditën që të thërras
e dëgjomë sa më shpejt.
4 Se ditët e mia po zhduken si tymi,
eshtrat po më bëhen shkrumb si prushi.
5 Zemra po më vyshket si bari e po thahet,
kam harruar të ha edhe bukën time.
6 Prej ofshamës së rënkimit tim
jam bërë kockë e lëkurë.
7 Jam bërë si pelikani në shkretëtirë,
i ngjaj kukuvajkës ndër rrënoja.
8 Gjumi nuk më merr,
jam si trumcaku i vetmuar mbi çati.
9 Armiqtë më përqeshin tërë ditën,
edhe ata që më thurin lavde
nëmin në emrin tim.
10 Po ha hi si bukë,
pijen e përziej me lot.
11 Për shkak të zemërimit e furisë sate,
lart më ngrite, por mandej më plandose.
12 Ditët e mia janë si hija e muzgut
e unë po thahem si bari.
13 Por ti, o Zot, mbetesh në amshim,
kujtimi yt brez pas brezi.
14 Do të ngrihesh e do të kesh dhembshuri për Sionin,
se erdhi koha të tregohesh i mëshirshëm me të;
po, erdhi koha e caktuar!
15 Shërbëtorët e tu i duan gurët e tij,
u dhimbset edhe pluhuri i tij.
16 Atëherë kombet do ta druajnë emrin e Zotit
e gjithë mbretërit e tokës lavdinë e tij,
17 kur Zoti ta ndërtojë Sionin
e në lavdinë e tij të shfaqet.
18 Përgjërimin e të mjerëve e vuri re
dhe lutjen e tyre nuk e shpërfilli.
19 Le të shkruhet kjo për brezninë e ardhshme
dhe populli, që do të krijohet, le të lavdërojë Zotin.
20 Se Zoti pa nga shenjtërorja e tij e lartë,
prej qiellit hodhi vështrimin e tij mbi tokë,
21 për të dëgjuar rënkimin e të robëruarve,
për të shpëtuar të dënuarit me vdekje,
22 që emri i Zotit të shpallet në Sion
dhe lavdërimi i tij në Jerusalem,
23 kur popujt të mblidhen tok,
kur mbretëritë t'i shërbejnë Zotit.
24 Udhës ai m'i pakësoi fuqitë
e ditët m'i shkurtoi.
25 E thashë: «O Perëndia im,
vitet e tua mbeten brez pas brezi;
mos më merr në mes të ditëve të mia!
26 Së lashti ti themelove tokën,
qiejt janë vepra e duarve të tua.
27 Do të marrin fund,
por ti do të mbetesh;
të gjitha do të vjetrohen si rrobë,
do t'i ndërrosh si petk e do të brehen.
28 Ti do të mbetesh po ai
dhe vitet e tua nuk do të kenë fund.
29 Bijtë e shërbëtorëve të tu do të kenë një vendbanim,
pasardhësit e tyre do të jenë të fortë para teje».
Të falunit’ e të vobegut, kur ka të dhimtunë, edhe derth anëkimin’ e vet përpara Zotit.
1 O Zot, ndigjo të falunitë t’em, edhe të klithunitë t’em le të vijë te ti.
2 Mos këthe mbë-nj’-anë faqenë tande prei mejet; ate ditë qi kam shtrëngim, kërrus veshinë tand tek unë, ate ditë qi thërres mbë ty , ndëgjo-më shpeit.
3 Se ditt’ e mia hupnë porsi tym, edhe eshtënat’ e mia u thanë porsi shkarpa.
4 Zemëra eme u plague, e u tha porsi bar, kaqi sa harrova me ngranë bukënë t’eme.
5 Prei zanit shamtimësë s’eme, eshtënate m’u ngjitnë ndë misht.
6 U bashë porsi pelekan i shkretinësë, u bashë porsi korb’ i natesë ndë vend të shkretë.
7 Rri pa gjumë, edhe jam porsi nji zok qi rri vetëmë mbë dhomë.
8 Gjithë ditënë më shpërnderojën’ anëmiqt’e mi; të çëmendunitë përgjërohenë kundrë meje.
9 Se hangra hi porsi bukë, edhe përzieva me lott të pimitë t’em.
10 Për punë të zemërimit t’yt edhe të mënisë s’ate, se më ngrite e më hodhe poshtë.
11 Ditt’ e mia shkojënë porsi hie, edhe unë u thava porsi bar.
12 Por ti, o Zot, mbet për gjithë jetënë, edhe të përmendunitë t’at bres mbas brezi.
13 Ti ke me u ngritunë, e ka me të ardhunë keq për Sionënë, se ashtë kohë për me e përdëllyem, se i erdhi koha.
14 Se shërbëtorëvet tu u pëlqejënë gurët’ e asai, edhe u dhimbetë për pluhunin’ e asai.
15 Ateherë kombetë kanë me pasunë frikë emënin’ e Zotit, edhe gjithë mbëretënit’ e dheut lavdinë tande.
16 Se Zoti ka me ndërtuem Sionë, edhe ka me u dukunë ndë lavdi të vet.
17 Ka me shtimë sytë mbë të falunit’ e të përvumëvet, edhe s’ka me hedhunë tej lutëjen’ e atyneve.
18 Këjo ka me u shkruem për brezinë qi vien, edhe populli qi ka me u krijuem, do të lavdurojë Zotinë.
19 Se u kurrus prei së naltit të shenjtënuemit vendit vet, Zoti shtiu sytë prei qielli mbi dhet,
20 për me ndigjuem shamtimën’ e të lidhunavet, për me sgidhunë dielmtë qi janë dënuem për vdekë,
21 qi të diftojën’ emënin’ e Zotit ndë Sionë, edhe lavdurimin’ e ati ndë Ierusalemë,
22 kur të mbëlidhenë popujtë bashkë, edhe mbëretënitë për me i shërbyem Zotit.
23 Më preu fuqinë mb’udhë, më shkurtoi dittë.
24 Unë thashë: Mos më merr, o Perëndia em, ndë gjymësët të ditvet mia; viet’ e tu janë bres mbas brezash.
25 Çë ndë krye të herësë ti, o Zot, themelove dhenë, edhe punët’ e duervet tua janë qijetë.
26 Ata kanë me u vdierrë, por ti mbet, edhe të gjithë kanë me u vietëruem porsi petk, edhe porsi të veshëme ke me pshtiellë ata, edhe kanë me u ndërruem.
27 Por ti je vetë ai, edhe viet e tu s’kamë me menguem.
28 Të bijt’ e shërbëtorëvet tu kanë me ndenjunë, edhe fara e atyneve ka me qindruem përpara teje.