1 Psalm i Davidit.
Mirësisë e drejtësisë do t'i këndoj,
ty do të të thur himne, o Zot.
2 Do të ndjek me urti udhën e përsosur,
kur do të vish tek unë?
Do të jetoj me zemër të pastër,
brenda në shtëpinë time.
3 S'do të mbaj para syve asgjë të pavlerë,
e urrej veprën e dinakut,
një gjë e tillë nuk do të më prekë.
4 Do ta mbaj larg zemrën e shthurur,
për të keqen nuk dua as t'ia di.
5 Atë që të afërtin tinëz e përflet do ta shfaros,
mendjemadhin e kryelartin s'do ta duroj.
6 Kërkoj me sy besnikët e vendit,
ata do të banojnë me mua;
ai që ecën udhës së përsosur,
ai do të jetë shërbëtori im.
7 Mashtruesi s'ka për të banuar brenda shtëpisë sime,
kush flet rrena nuk do të qëndrojë para syve të mi.
8 Në mëngjes do të shfaros gjithë të këqijtë e vendit,
që t'i zhbij prej qytetit të Zotit
të gjithë ata që bëjnë paudhësi.
Psallm’ e Davidit.
1 Kam me kënduem përdëllim e gjyq; për ty, o Zot, kam me psallunë.
2 Kam me qenun’ i urtë ndë udhë të pandyme, kurë do të vish tek unë? Kam me ecunë ndë të pakeqen’ e zemërësë s’eme, ndë miedis të shtëpisë s’eme.
3 S’kam me vumë përpara syvet mi gja të keqe; marr mëni ata qi dalinë jashtë udhet, s’ka me m’u ngjitunë.
4 Zemër’ e shtrembëtë ka me u shkitunë prei mejet, s’kam me ngjofunë të keqenë.
5 Ate qi përflet pshefas të afërmin’ e vet, këte kam me e ndiekunë; s’kam me ngranë bashkë me ate qi ka sy madhështuer, edhe zemërë të naltë.
6 Syt’ e mi kanë me qenunë mbi besëtarët e dheut, qi të rrinë bashkë me mue; ai qi ecën ndë udhë të pandyme, ky ka me më shërbyem.
7 Ai qi gënjen, s’ka me ndenjunë ndë miedis të shtëpisë s’eme; ai qi flet rrenë, s’ka me qindruem përpara syvet mi.
8 Për nadie kam me prishunë gjithë të pa-besët’ e dheut, qi të shuej prei qytetit Zotit gjith’ ata qi punojënë pa udhë.