E gjithë jeta e Krishtit është një orvatje për të shkuar tek Ati. Ç’është e vërteta, ai është i pari ndërmjet vëllezërve, ai që i shpie të gjithë vëllezërit tek Ati. Në takimin e djeshëm, ju thashë se ne, pa dyshim, kemi në duar Shkrimin dhe ai është një nga thesaret më të mëdha të Kishës. Por Krishti tha: Nuk ju premtoj Shkrimin, ju premtoj se t’ju dërgoj Shpirtin. Dhe Krishti është i pranishëm mes nesh përmes Shpirtit të Tij. Ai është i pranishëm në Kishë. Por çfarë është Shpirti? Përpara se të kalojmë te Ungjilli i sotëm, te pjesa e Ungjillit që do të shohim sot, do të doja të citoja këto vargje nga kapitulli i 16-të i Gjonit: “Por unë po ju them të vërtetën: është më mirë për ju që unë të shkoj, se po nuk shkova unë, Ngushëlluesi nuk do të vijë te ju, ndërsa po të shkoj, atëherë do t’jua dërgoj. Kur të vijë, ai do ta bindë botën se është fajtore në lidhje me mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin” (Gjn. 16:7-8).
Kjo është shumë e rëndësishme. Ai do ta bindë botën në lidhje me mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin. Për këto tri gjëra. Pra, Shpirti e bën këtë qartësim.
“Në lidhje me mëkatin”. A e dini se çfarë është mëkati? Të mos arrish synimin. Të mos godasësh në shenjë. Po, në hebraishte, mëkat do të thotë të mos godasësh në shenjë. Në rregull, por cili është thelbi i mëkatit? Në të gjithë perspektivën biblike, në ndërgjegjen e njerëzve të Perëndisë që është formësuar përgjatë shekujve, thelbi i mëkatit është të mos besosh.
Ky është mëkati. Pra, t’i shërbesh perëndive të rreme. Më pas, të tjerat janë mëkate, që s’kanë ndonjë peshë të madhe nëse bën ndonjë gjë gabim apo nëse je i dobët ose nëse heq dorë për shkak të kufizimeve të tua, etj. Këto janë mëkate. Po, ato janë të rëndësishme, por mëkateve u kemi dhënë më shumë rëndësi në mënyrë moraliste dhe e kemi marrë për të mirëqenë që jemi besimtarë. Pra, mëkati është të mos besosh. Mëkati. Në të vërtetë, Ai thotë “në lidhje me mëkatin”, sepse nuk më besojnë. “Në lidhje me mëkatin, sepse nuk beson në mua” (Gjn. 16:9).
“Në lidhje me drejtësinë, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më” (Gjn. 16:10). Kjo të ngjall kërshëri. Pra, “në lidhje me drejtësinë”, sepse po shkon tek Ati. Ç’ka të bëjë kjo me drejtësinë? Sepse ai po shkon tek Ati.
“Në lidhje me gjykimin”, sepse princi i kësaj bote është gjykuar” (Gjn. 16:11). Kësisoj, kjo botë ka një princ, armikun e Perëndisë dhe ai është gjykuar. Dhe ne e dimë se princin e kësaj bote e gjykoi Jezui në Kryq. Atje, Ai na çliroji nga princi i kësaj bote. Ai u dënua në vendin tonë dhe tani ai sundon me mëshirë, jo më me drejtësinë e ligjit. Ky Shpirt vepron në bashkësinë e ndjekësve të Krishtit, por pasi Krishti të ketë shkuar të Ati.