E gjithë jeta e Krishtit është një orvatje për të shkuar tek Ati. Ç’është e vërteta, ai është i pari ndërmjet vëllezërve, ai që i shpie të gjithë vëllezërit tek Ati. Në takimin e djeshëm, ju thashë se ne, pa dyshim, kemi në duar Shkrimin dhe ai është një nga thesaret më të mëdha të Kishës. Por Krishti tha: Nuk ju premtoj Shkrimin, ju premtoj se t’ju dërgoj Shpirtin. Dhe Krishti është i pranishëm mes nesh përmes Shpirtit të Tij. Ai është i pranishëm në Kishë. Por çfarë është Shpirti? Përpara se të kalojmë te Ungjilli i sotëm, te pjesa e Ungjillit që do të shohim sot, do të doja të citoja këto vargje nga kapitulli i 16-të i Gjonit: “Por unë po ju them të vërtetën: është më mirë për ju që unë të shkoj, se po nuk shkova unë, Ngushëlluesi nuk do të vijë te ju, ndërsa po të shkoj, atëherë do t’jua dërgoj. Kur të vijë, ai do ta bindë botën se është fajtore në lidhje me mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin” (Gjn. 16:7-8).
Kjo është shumë e rëndësishme. Ai do ta bindë botën në lidhje me mëkatin, drejtësinë dhe gjykimin. Për këto tri gjëra. Pra, Shpirti e bën këtë qartësim.
“Në lidhje me mëkatin”. A e dini se çfarë është mëkati? Të mos arrish synimin. Të mos godasësh në shenjë. Po, në hebraishte, mëkat do të thotë të mos godasësh në shenjë. Në rregull, por cili është thelbi i mëkatit? Në të gjithë perspektivën biblike, në ndërgjegjen e njerëzve të Perëndisë që është formësuar përgjatë shekujve, thelbi i mëkatit është të mos besosh.
Ky është mëkati. Pra, t’i shërbesh perëndive të rreme. Më pas, të tjerat janë mëkate, që s’kanë ndonjë peshë të madhe nëse bën ndonjë gjë gabim apo nëse je i dobët ose nëse heq dorë për shkak të kufizimeve të tua, etj. Këto janë mëkate. Po, ato janë të rëndësishme, por mëkateve u kemi dhënë më shumë rëndësi në mënyrë moraliste dhe e kemi marrë për të mirëqenë që jemi besimtarë. Pra, mëkati është të mos besosh. Mëkati. Në të vërtetë, Ai thotë “në lidhje me mëkatin”, sepse nuk më besojnë. “Në lidhje me mëkatin, sepse nuk beson në mua” (Gjn. 16:9).
“Në lidhje me drejtësinë, sepse unë po shkoj tek Ati dhe nuk do të më shihni më” (Gjn. 16:10). Kjo të ngjall kërshëri. Pra, “në lidhje me drejtësinë”, sepse po shkon tek Ati. Ç’ka të bëjë kjo me drejtësinë? Sepse ai po shkon tek Ati.
“Në lidhje me gjykimin”, sepse princi i kësaj bote është gjykuar” (Gjn. 16:11). Kësisoj, kjo botë ka një princ, armikun e Perëndisë dhe ai është gjykuar. Dhe ne e dimë se princin e kësaj bote e gjykoi Jezui në Kryq. Atje, Ai na çliroji nga princi i kësaj bote. Ai u dënua në vendin tonë dhe tani ai sundon me mëshirë, jo më me drejtësinë e ligjit. Ky Shpirt vepron në bashkësinë e ndjekësve të Krishtit, por pasi Krishti të ketë shkuar të Ati.
Kjo është shumë e bukur, sepse Krishti nuk na konsideroi si të paaftë, apo jo? Nuk na tha: “Keni nevojë për mua në çdo kohë. Mjerë ju po nuk ndenja këtu. Nëse unë nuk jam aty, ju nuk do t’ia dilni mbanë. Ju jeni të mjerë. Ju jeni të kufizuar. Ju bëni gabime. Ju nuk mund t’ia dilni mbanë”. Përkundrazi, ai thotë: “Duhet të largohem. Duhet të largohem, sepse kam besim te ju. Do t’ju dërgoj Shpirtin tim dhe do t’ia dilni mbanë. Do të keni rrugëtimin tuaj”. Kisha, bashkësia e ndjekësve të Krishtit, është një bashkësi njerëzish, të cilëve Krishti u ka besuar para se ne t’i besojmë atij plotësisht. Ai thotë: “Kam qenë me ju. E keni parë si kam jetuar. Tani, ju do t’ia dilni. Pa dyshim, jo të vetëm. Unë do t’ju dërgoj Shpirtin tim dhe ju do të vazhdoni udhën. Kësisoj, Shpirti i Zotit është Shpirti që na kujton se kemi një Atë dhe që i drejton hapat tona drejt Atit, sepse ky është i tërë thelbi i jetës së Krishtit, të shkojë tek Ati.
Sot dua të marrim në shqyrtim një pjesë nga kapitulli i pesëmbëdhjetë i Ungjillit sipas Lukës, nga 11 deri në fund, deri te vargu 43, nëse nuk gaboj, sepse nuk e mbaj mend tani se sa vargje ka ai kapitull, por do ta lexojmë varg për varg. Bëhet fjalë për djalin që kish humbur dhe u gjet, pra për shëmbëlltyrën e djalit plëngprishës apo të atit të dhembshur, sido që të jetë titulli i kësaj shëmbëlltyre në Bibël. Këtë shëmbëlltyrë e tregon Jezui.
Së pari, çfarë ndodh në fillim të këtij kapitulli, te vargjet e para të kapitullit të pesëmbëdhjetë të Ungjillit sipas Lukës? Aty flitet për shkruesit dhe farisenjtë. Ata vënë re Jezuin teksa qëndron bashkë me mëkatarët dhe thonë: Ai po qëndron me mëkatarët dhe po ha bashkë me ta. Fakti që ha me ta është një gjë edhe më e keqe, sepse thjesht të qëndronte me ta do të kishte qenë pak a shumë në rregull, por fakti që po ha me ta është një gjë shumë më e keqe, sepse nëse ha me dikë, do të thotë se ndan të njëjtat ide me të, se je në një marrëdhënie me atë njeri, se ke miqësi me atë njeri. Në mendësinë e Lindjes së Mesme, të haje me dikë do të thoshte se ishe në një mendje me atë njeri, se pajtoheshe me atë, se ishe në paqe me atë njeri. Ai po ha me mëkatarët. Për ta, kjo ishte e papranueshme. Se shkruesit dhe farisenjtë nuk e quanin veten mëkatarë. Ata respektonin Ligjin e Moisiut. Ata ishin në rregull. Ishin për së mbari. Ata janë njerëz fetarë. Nuk mungojnë në asnjë shërbesë fetare. I këndojnë bukur në lutjet e mëngjesit, i bëjnë gjërat për së mbari, rrëfehen rregullisht, i bëjnë gjërat siç duhet. Mirëpo, Jezui po qëndron me njerëz që nuk i bëjnë gjërat siç duhet. Kësisoj, ai është i rrezikshëm për ta.
Tani, përpara se të kaloj te shëmbëlltyra, përpara se të hyj në shëmbëlltyrë, dua t’ju sjell ndër mend këtë: në lidhje me këtë kundërshtim, në lidhje me mënyrën se si i qasen shkruesit, farisenjtë dhe priftërinjtë Jezuit, në Dhiatën e Re gjenden mjaft mënyra përmes të cilave Jezui përpiqet t’i bëjë të kuptojnë se duke vepruar kështu po i ndajnë njerëzit në dy pjesë. Në të vërtetë, Jezui tregon shumë shëmbëlltyra ose përmend mjaft raste ku dy gjëra në dukje të kundërta paraqiten paralelisht me njëra-tjetrën.
Për shembull, lutja e mëkatarit dhe lutja e fariseut. Mëkatari, tagrambledhësi, dhe fariseu. Fariseu i thotë Zotit: Të falënderoj, o Zot, sepse nuk bëj asgjë të keqe. Faleminderit, Zot. Por, në të vërtetë, ai po thotë: Zot, më falëndero, sepse jam njeri i mirë. Këtë gjë po thotë fariseu në mënyrë të tërthortë. Pra, Zoti duhet ta falënderojë ngaqë ka qenë njeri i mirë. Ai mendon se e meriton bekimin e Zotit dhe se Zoti duhet t’ia njohë këtë. Ndërsa mëkatari thotë: Zot, jam i padenjë, por jetoj falë mëshirës sate. Ki mëshirë për mua, përdëllemë. Gjithashtu, Jezui tregon historinë e Martës dhe Marisë. Ai shkon në shtëpinë e tyre dhe njëra është shumë e mirë, bujare, punon në kuzhinë, përgatit drekën, shërben, punon etj. Por më pas i ankohet Zotit për të motrën: Nuk interesohesh për mua? Ajo nuk po më ndihmon fare. Ankohet për të motrën. Pra, e shihni çfarë bën fariseu? Ai thotë: Unë nuk jam si të tjerët. Unë nuk jam si të tjerët. Unë dhe të tjerët. Unë dhe motra ime.
Më pas, kemi edhe shumë pasazhe të tjera nga Bibla. Kemi shumë pasazhe ku dy gjëra të kundërta qëndrojnë përkrah njëra-tjetrës: Dy shtëpitë te kapitulli i gjashtë i Ungjillit sipas Lukës. Pra, kemi njeriun e urtë që e ndërton shtëpinë mbi shkëmb dhe njeriun e marrë që e ndërton shtëpinë mbi rërë. Dy personazhe të kundërt me njëri-tjetrin i shohim edhe në skenën e fundit të Ungjillit, para vdekjes së Jezuit. Kusari i mirë dhe kusari i keq. Njëri thotë: Nëse je Biri i Perëndisë, atëherë zbrit nga kryqi dhe na shpëto, shpëto veten, na shpëto edhe ne, ndërsa tjetri i thotë atij: Pse flet kështu? Ne po e vuajmë dënimin me të drejtë, ndërsa ai nuk ka bërë asgjë. Dhe i thotë Jezuit: Kujtomë në mbretërinë tënde.
Pra, këto figura, këto figura antagoniste, gjenden në të gjithë historinë e Ungjillit, që nga vitet e hershme të jetës së Jezuit. Siç e dini, Jezui erdhi në tokë që të na ndihmonte të njihnim Atin. Apo jo? Dhe që të na shpinte tek Ati. Ndërkaq, cili ka qenë gabimi i madh i njerëzimit dhe cili mbetet gabimi i madh i njerëzit dhe, veçanërisht, i fesë? Ungjilli na u dha që të na çlironte nga feja. Mos më keqkuptoni. Shpeshherë, feja është ndërtuar mbi rregulla dhe dogma. Ne kemi dogma. Unë jam katolik, si rrjedhim nuk kam asgjë me fenë, nuk kam asgjë me dogmat. Nuk dua që të më keqkuptoni për këto që them, mirëpo ne kemi këto të vërteta, këto të vërteta që janë formuluar, më pas kemi moralin, të cilit duhet t’i bindemi, kemi të drejtat që duhet t’i zbatojmë dhe t’i respektojmë, të cilat janë gjëra të mira, nuk janë gjëra të këqija, por shumë shpesh, përmes këtyre gjërave, kthemi në menazhues të Perëndisë. Jemi menazhues të Perëndisë. Ne menazhojmë Perëndinë. Pra, çfarë është feja? Është një mënyrë për të shtënë Perëndinë në dorë. Është një mënyrë për të drejtuar Perëndinë. Në një farë mënyre, jemi ne ata që themi se si duhet të jetë Zoti. Shumë shpesh, feja del të jetë diçka e tillë. Mirëpo, pse e dëshirojmë ta kontrollojmë Zotin? Sepse dëshirojmë të kontrollojmë njerëzit në emër të Zotit. Kjo është çështja. Të kontrollojmë njerëzit në emër të Zotit duke u mbështetur te rregullat e fesë.
Ungjilli shkon gjithmonë, gjatë gjithë kohës, kundër kësaj. Dhe duke thënë që Maria ka zgjedhur pjesën më të mirë, që nuk do t’i merret më; duke thënë për mëkatarin, se ai u kthye në shtëpi i shpëtuar; duke i thënë kusarit në kryq: “Sot do të jesh me mua në parajsë, në mbretëri”, të cilat janë fjali të qarta të Jezuit, çfarë është duke bërë Jezui? Ai po çliron Perëndinë nga “pushteti” ynë mbi të. Pa dyshim, Perëndia është i lirë, por ai po na largon neve nga mendja imazhin që kemi për Perëndinë. Ai po na e korrigjon këtë imazh, po na e ndreq. Ai po na rivendos në mendje imazhin e vërtetë që duhet të kemi për Perëndinë.
Dhe gjithçka që Jezui bën dhe thotë gjatë shërbimit të tij ka si synim të na ndihmojë të kuptojmë që Perëndia është ndryshe nga imazhi që kemi për të. A ke një imazh për Perëndinë? Po. Atëherë Perëndia është ndryshe nga imazh që ke. Sepse Jezui është një hebre i vërtetë. Ai sjell ndër mend një nga urdhërimet më të mëdha të Besëlidhjes së Vjetër. Mos bëj asnjë imazh të Perëndisë. Sepse në çastin që krijon një imazh të Perëndisë, atëherë ky imazh do të të shërbejë si një fuqi për të kontrolluar Perëndinë dhe për të kontrolluar të tjerët në emër të Perëndisë. Prandaj, çlirohu nga këto imazhe të Perëndisë, të cilat i krijojmë shumë shpesh dhe me shumë lehtësi në emër të Perëndisë dhe në emër të fesë.
Kësisoj, shëmbëlltyra e Atit të Dhembshur na ndihmon të kuptojmë se çfarë ndodh vërtet në historinë njerëzore. Kjo shëmbëlltyrë është e treta ndërmjet tri shëmbëlltyrave, të cilat kanë një frazë thelbësore: Kishte humbur dhe u gjet! Shëmbëlltyra e parë flet për një bari që ka 100 dele dhe në fillim të shëmbëlltyrës thuhet se një dele i ka humbur. Dhe Jezui thotë: Cili bari nuk do t’i linte 99 delet në shkretëtirë dhe të shkonte të kërkonte delen e humbur? Unë ju pyes: Cili bari do të bënte këtë? Askush nuk do ta bënte. Pyetja e Jezuit është paksa e çuditshme, sepse ai thotë: cili bari nuk do t’i linte 99 delet në shkretëtirë dhe të shkonte të kërkonte delen e humbur? Askush. Sepse një bari i arsyeshëm do të thoshte: “Të paktën kam 99 delet e tjera. Do të ruaj këto”. Barinjtë nuk do të shkonin të kërkonin delen e humbur nëse nuk do të ishin të sigurt se 99 deleve të tjera nuk u kanoset asnjë rrezik.
Por kjo na tregon diçka të rëndësishme për këtë arsyetim të veçantë, i cili nuk është njerëzor dhe nuk mbështetet te fitimi, te sasia, por tek ajo dele që ka humbur. Ajo është e rëndësishme. Unë nuk mund të kujdesem për 99 delet e tjera dhe të them: “Në rregull. Të paktën këto 99 delet e tjera janë të sigurta. Po, por mungon një dele. Bariu nuk gjen prehje. Sepse ka humbur. Më pas, pasi e gjen, ai bën festë. Ai e gjen delen e humbur dhe fton të gjithë fqinjët për të festuar. Pra, kishte humbur dhe u gjet! Ndaj bëhet festë.
Shëmbëlltyra tjetër flet gruan që ka humbur monedhën, e cila, pasi e gjen, fton fqinjët e saj për të festuar. Pra, monedha kështu humbur dhe u gjet! Ndaj, edhe në këtë rast kemi festë.
Më pas, Jezui na tregon këtë shëmbëlltyrë të gjatë. Shëmbëlltyrën që mban titullin: Shëmbëlltyra e Djalit Plëngprishës. Pra, përmes këtyre shëmbëlltyrave Jezui po u përgjigjet kundërshtimeve të shkruesve dhe farisenjve. Le të mos e harrojmë këtë. Ai ulet me mëkatarët dhe ha bashkë me ta. Ha bashkë me mëkatarët, shoqërohet me mëkatarët. Kësisoj, Jezui tregon shëmbëlltyrën e parë, të dytën dhe të tretën, të cilën do ta shohim më në hollësi.
Ai i përgjigjet farisenjve dhe thotë: “Një njeri kishte dy djem”. Sërish, ky është stili i Lukës. Më i vogli i tha të atit… – pra, më i vogli. Zakonisht, djali i vogël më rebel, ai që dëshiron të jetë pak më i lirë, ai që është më pak i pjekur, ai që nuk i bën llogaritë mirë; kësisoj, ai është i lirë, spontan. Kështu, “më i vogli i tha të atit: Atë, më jep pjesën e pasurisë që më takon”. Më jep pjesën time të trashëgimisë. Tani, dy djemtë, dy vëllezërit nisin të marrin dy udhë të ndryshme. Do ta shohim këtë gjë dalëngadalë. Nëse Krishti na shpie sërish tek Ati, ai e bën këtë që ne të rigjejmë vëllazërinë. Duke humbur Atin, ne humbin vëllazërinë. Kjo është çështja. Ky djalë dëshiron të largohet nga i ati, por ndërkohë ai, në mënyrë të tërthortë, po largohet edhe nga vëllai. Kjo është drama e njerëzimit. Ky është thelbi i mëkatit. Nëse humbet Atin, nëse humbet Perëndinë, ke humbur edhe vëllain. Përgjithmonë. Nuk ka asnjë mënyrë për të qenë vëllezër nëse humbet Atin. Pas kësaj do të jemi konkurrentë, do të jemi armiq. Mund të jemi edhe partnerë, ortakë, por nuk do të jemi më vëllezër. Të qenit vëllezër do të thotë të kesh gjithçka të përbashkët, sepse gjithçka i përket të njëjtit Atë, i cili është, si të thuash, pronari – po përdorim një term varfër.
“Kështu, i ati ua ndau pasurinë djemve”. Kështu është përkthyer “pasurinë”, por teksti në greqishte përdor fjalën “ton bion”, domethënë “u ndau jetën e tyre”. Ai u ndau më dysh jetën e tyre. Kjo gjë, të bësh një jetë të ndarë, është pikërisht pasojë, pasoja më dramatike, e mëkatit. Ai u ndau jetën, në mënyrë të mirëfilltë.
“Pak ditë më vonë, djali i vogël mblodhi gjithçka kishte dhe shkoi në një vend të largët. Atje e çoi dëm pasurinë duke jetuar pa kokëçarje (zoon asotos)”. Fjala “asotos” është përdorur vetëm një herë në Besëlidhjen e Re. Vetëm këtu. Ai po jeton pa kokëçarje. Nuk e çaj kokën për asgjë. Mos e çaj kokën. Ji i lumtur. I keni parë ato bluze me këtë logo, apo jo? Mos e çaj kokën. Ji i lumtur. Kjo është një aspiratë e mirë. Mos e çaj kokën. Ji i lumtur. Është parajsë. Është qiell. Të gjithë jemi në agoni për të. Është një gjë e mirë. Kështu, ata që shkruan këto parulla, e kishin kuptuar se për çfarë kishim nevojë, se çfarë dëshironim thellë-thellë. Dhe djali i vogël dëshiron të jetë moskokëçarës, të jetë i lumtur. Vetëm këtë dëshiron. Mos e çaj kokën. Ji i lumtur. Krejt ndryshe nga djali i madh. Krejt ndryshe nga shkruesit dhe farisenjtë, për të cilët po tregohet kjo shëmbëlltyrë. Ata thonë: Ti duhet ta çash kokën, nuk duhet të jesh i lumtur, nuk duhet të mëkatosh kurrë, duhet t’i bësh gjërat gjithmonë siç duhet, duhet të jesh i kujdesshëm, përndryshe Perëndia do të të dënojë. Perëndia qëndron gati. Bëre një mëkat? Në ferr. Bëre mirë? Je në rregull. Bëre një gabim të vogël? Do të marrësh një dënim të vogël. Bëre një gabim të madh? Do të marrësh një ndëshkim të madh. Këtë mendësi kishin. Këtë mendësinë kanë edhe të gjitha fetë. Këtë imazh kemi krijuar për Perëndinë. Një imazh që nuk i shkon për shtat.
Pra, djali i vogël thotë: Nuk e çaj kokën. Nuk dua ta çaj kokën. Dhe largohet. Ai është përfaqësues i çdo zemre të çiltër. Nëse jeni të çiltër, nuk do të më thoni që nuk do t’ju pëlqente kjo gjë. Do të dëshironim të jetonim pa kokëçarje dhe të lumtur. Do të kishte qenë shumë e këndshme. Pra, djali i vogël shkon të jetojë pa kokëçarje, të bëjë një jetë pa kokëçarje.
“Dhe si shpenzoi gjithçka, në atë vend ra një zi e madhe buke dhe ai filloi të mbetej pa gjë”. Çështja është se kjo lloj jete nuk mund të zgjasë përgjithmonë. “Dhe si shpenzoi gjithçka…”. Po tani, si do të jetoj? Nuk kam më burime, nuk kam më mjete, nuk kam më mundësi të tjera. Po tani çdo të bëj? Ishte e këndshme. E shijova. U kënaqa. Po tani? Dhe mjerimi i tij përshkruhet shumë bukur në Ungjillin sipas Lukës, sepse e dimë që Luka ishte mjeshtër i tregimit.
“Atëherë shkoi e gjeti punë te njëri nga qytetarët e atij vendi…”. Pra, u bë shërbëtor, skllav. Ishte bir. Ishte vëlla. Tani nuk është më bir. Nuk është më vëlla. Nuk është asgjë. Jeta pa kokëçarje ishte e këndshme. Ishte e bukur. Ishte qiellore. Dhe kjo, në vetvete, nuk ka të bëjë me mëkatin. Mëkat është fakti që nuk ka më Atë, që nuk ka më vëlla. Kjo është çështja.
“… dhe ky e dërgoi në ara që të ruante derrat”. Kush e dërgoi në ara që të ruante derrat? Për hebrenjtë, derrat ishin kafshë të papastra. Pra, situata është keq e më keq. Nuk mund të ishte më keq se kaq. Ai duhet të ushqente derrat.
“Atje do të kishte dashur shumë të ushqehej me lendet që hanin derrat, por askush nuk ia jepte”. Aty ku nuk je bir, nuk të japin asgjë falas. Aty ku nuk je vëlla, ti duhet ta fitosh gjithçka vetë. Gjërat duhet t’i meritosh. Pra, ai ndodhej në një gjendje, e cila është pasoja më e hatashme e humbjes së burimi të jetës.
“Si erdhi në vete – kjo është një folje shumë e rëndësishme – ai tha: Shumë nga punëtorët e tim eti kanë bukë dhe u tepron, ndërsa unë këtu po vdes urie”. Pra, atij i kujtohet një gjë e mirë nga i ati. Jo gjithçka e mirë, por një gjë. Që shumë nga punëtorët e të atit kanë bukë për të ngrënë. Kjo është çështja. Shkojmë tek Ati nga nevoja. Nuk pretendojmë kurrë që shkojmë ngaqë jemi të mirë. Jemi thjesht bij. Nuk shkojmë ngaqë kemi ndjenjën e drejtësisë. Jo. Ky është mëkatari i vërtetë. Ky që përshkruhet në shëmbëlltyrën e sotme. Ai nuk thotë: Bëra një gabim. Jo. Ai thotë: kam uri. Nuk thotë: ndërgjegjja më thotë se unë… Kështu, duke qenë se kam ndërgjegje të drejtë dhe i bindem ndërgjegjes sime, kjo ndërgjegje do të më shpjerë tek Ati. Jo. Unë thjesht dua të mbijetoj. Nuk ka asnjë gjurmë merite te veprimet apo mendimet e tij. Ai është mëkatar i vërtetë. Dhe Jezui po përshkruan një mëkatar të vërtetë. Jo vetëm të vërtetë, por edhe të sinqertë. Mëkatarët janë të vërtetë. Mbajeni mend. Mëkatarët janë të vërtetë…
“Do të çohem, do të shkoj tek im atë e do t’i them: atë, kam mëkatuar kundër qiellit e para teje. Nuk jam më i denjë të quhem biri yt. Më mbaj si një nga punëtorët e tu. Por i ati u tha shërbëtorëve: Sillni shpejt rrobën më të mirë e vishjani. Vërjani unazën në gisht e sandalet në këmbë…”. Nuk jam i denjë të jem djali yt. I ati nuk i përgjigjet, por u drejtohet shërbëtorëve: shërbejini si djalë. Sandalet janë simboli i të qeni djalë. Djali shkon tek i ati dhe për atin ai është thjesht djali. Ati nuk e sheh si mëkatar, si shkelës. Çfarë është mëkati? Mëkati është ndërgjegjësimi se pa Perëndinë nuk je asgjë. Çfarë është shpëtimi? Shpëtimi, shpengimi, është të kuptosh se ti nuk mund të jesh një hiç nëse je me Perëndinë. Perëndia të krijon sërish nga asgjëja. Shpengimi është që Perëndia të rikrijojë gjithnjë nga e para. Të ripërtërihesh gjithnjë në dashurinë dhe hirin e tij.
“… se ky biri im kishte vdekur e u ngjall, kishte humbur e u gjet!”. Dhe filluan të festonin”. Po festonte ati, shërbëtorët dhe djali i vogël.
“Djali i tij më i madh gjendej në arë. Kur erdhi e iu afrua shtëpisë, dëgjoi muzikë e valle. Atëherë thirri njërin nga shërbëtorët dhe e pyeti se çfarë po ndodhte. Ai iu përgjigj: Vëllai yt është këtu dhe yt atë theri viçin e majmë, se ai është kthyer shëndoshë e mirë”. Ai u zemërua. Ai ishte i drejtë. Ai kishte të drejtë. Ai nuk mëkatoi kurrë. Kështu, ai u zemërua. Ai kishte një imazh të caktuar për Perëndinë në mendjen e tij. Kjo s’mund të ndodhë.
“I ati doli përjashta për t’iu lutur…”. Ati del gjithmonë jashtë. Ati del gjithmonë jashtë për të kërkuar të birin. Këtë herë, doli për djalin tjetër. Djali që u largua në një vend të largët, ndodhej vërtet larg Atin, por ai u kthye tek ai. Ndërsa djali tjetër ndodhej shumë larg Atit, paçka se fizikisht gjendej aty.
“I ati doli përjashta për t’iu lutur, por ai iu përgjigj: Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër…”. Kurrë. Kam shkuar në kishë çdo të diel. Jam rrëfyer. Nuk kam ngrënë shumë. Nuk jam larguar e të shoh interesin tim. Kurrë.
“…megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi”. Shpesh, njerëzit fetarë mund të zemërohen ndaj Perëndisë dhe të thonë: Perëndia është i padrejtë. Po, ne i bëjmë gjërat për të, por ai nuk është i drejtë. Ai nuk është i drejtë, sepse ja, ata që vjedhin, atë që kryejnë gjërat më të këqija, janë të lumtur, ndërsa jem të palumtur. Ne jetojmë sipas vullnetit të Perëndisë, atëherë përse e humbëm fëmijën tonë? Unë humba djalin, edhe pse bëj vepra të mira, ndërsa të tjerët, që bëjnë çdolloj gjëje të ligë, janë mirë. E keni vëre re ndonjëherë këtë lloj mendësie? Pse këto fatkeqësi bien mbi njerëzit e mirë, ndërsa njerëzit e këqij nuk vuajnë nga këto fatkeqësi? Kjo është mendësia e disa njerëzve që kanë një imazh të caktuar të Perëndisë, të cilin duan ta kenë nën kontrollin dhe pushtetin e tyre, si dhe në shërbim të tyre. Duan ta kenë Perëndinë në shërbim të tyre. Ai na shërben. E dimë këtë. Ai na shërben, por sipas mënyrës së tij, jo siç duam ne.
“Unë kam punuar si një shërbëtor gjatë gjithë këtyre viteve për ty e nuk të kam thyer asnjë urdhër, megjithatë ti nuk më ke dhënë as edhe një kec që të bëj festë me miqtë e mi, por kur u kthye yt bir…”. Yt bir. Tani po e shfaq gjithnjë e më shumë largësinë nga ati. Ky është djali yt. Është puna jote. Perëndi i tillë je. Atë i tillë je. Kjo është loja jote.
“… që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë”. Ne nuk e dimë se si i prishi paratë djali i vogël. Por vëllai i tij, me sa duket, e ditka. Ka shkuar me lavire. Kësisoj, dëshira e thellë të paudhësisë e ka në mendje. Pra, ai që vërtet ka shkuar me lavire është ai vetë, sepse e ka mendjen tek laviret. Ai e merr me mend që vëllai i tij ka vepruar ashtu dhe ai, i shkreti, nuk e ka bërë një gjë të tillë. Dhe ky po vuan. Por, ç’është e vërteta, ky vetë ka shkuar me lavire në mendjen e tij.
“Ndërsa kur u kthye yt bir, ai që e prishi pasurinë tënde me lavire, ti there për të viçin e majmë”. Por i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja”. Kjo është jeta me Perëndinë. “Gjithçka që kam unë është edhe jotja”. Ne kemi gjithçka. A e dini cili është mendimi që na prishin humorin shpirtëror? Mendimi që nuk kemi asgjë. Gjithçka që ka Perëndia është edhe jona. Këtë na thotë besimi. Gjithçka e kemi të përbashkët me Perëndinë.
“Por i ati i tha: “Bir, ti je gjithmonë me mua e gjithçka që kam unë është edhe jotja.”
“Por ne duhet të festojmë e të gëzohemi, se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”. I ati e quan “bir”, duke i thënë se edhe ti je im bir. Ai që u kthye nuk është thjesht “yt bir”, siç e quajti ai, por është vëllai i tij. Pra, i ati i kujton që ka një vëlla, i cili kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”.
Kjo shëmbëlltyrë është shumë e rëndësishme. Çdo pasazh i Besëlidhjes së Re është shumë i rëndësishëm, por ne po flasim për këtë pasazh, ndaj them se është i rëndësishëm. Pra, është shumë i rëndësishëm, sepse synon të na pastrojë imazhin që kemi krijuar për Perëndinë, të na çlirojë nga disa koncepte fetare dhe nga disa qëndrime të lindura dhe spontane që i përftojmë nga jeta në kishë, duke kaluar nëpër disa kërkesa që bashkësia i ka formuluar me të drejtë kohë ndër kohë, të cilat i japin trajtë jetës kishtare. Dhe gjatë përpjekjes për të bërë një jetë fetare brenda një bashkësie, ne rrezikojmë ta shohim Perëndinë përmes disa konceptesh të ngurta fetare, të cilat i përvetësojmë brenda bashkësisë sonë. Më pas themi: Në rregull, e dimi se kush është Perëndia, e dimë se çfarë dëshiron nga ne dhe do t’ia plotësojmë kërkesat. Vetë do të jemi disi të pakënaqur, por të paktën do ta dimë se në një farë mënyre do të jemi të shpëtuar, sepse i kemi bërë gjërat siç duhet dhe mirë.
Le të kthehemi sërish atje ku e nisëm. Shkruesit dhe farisenjtë e akuzonin Jezuin se ai qëndronte dhe hante me mëkatarët. Çështja është se ne, shpeshherë, jemi të prirur t’i ndajmë nga njëri-tjetri këta dy vëllezër, ose fariseun nga mëkatari, ose vëllain që thotë po, por nuk vepron ashtu nga vëllai që thotë jo, por më pas e bën atë gjë, ose Martën nga Maria. Pra, shpeshherë priremi t’i ndajmë ata dhe t’i shohim si dy persona të ndryshëm fizikë, të cilët kanë jetuar dikur në historinë njerëzore etj.
Çështja është se këto dy figura të kundërta qëndrojnë bashkë brenda shpirtit tonë. Dhe është me rëndësi t’i dallojmë shumë mirë këto dy prirje brenda nesh. Këtë dallim mund ta bëjmë edhe më të qartë nëse dimë se ç’atë kemi dhe se si na vështron ai ne (vrapon të na përqafojë, të na puthë etj.). Pra, kush është Perëndia? Në varësi të asaj çka Perëndia është për ne, do të vendosim edhe se cilët jemi dhe cilët do të duhet të ishim. Se nëse kemi një imazh të caktuar të Perëndisë, atëherë mendojmë se duhet të jemi si vëllai i madh, si vëllai që thotë po, por nuk vepron ashtu. Kjo është feja. Thua po, unë jam besimtar, do ta bëj këtë gjë, por thellë-thellë nuk je i tillë. Njëlloj si Marta, mund të bësh shumë gjëra, por më pas ankohesh për motrën. Pra, ne jemi të krishterë të mirë, ndërsa të tjerët nuk janë të krishterë të mirë. Thjesht po ankohemi për këdo dhe për gjithçka. Jemi njëlloj si ata që ndërtuan shtëpinë mbi shkëmb ose mbi rërë, si ai që pretendonte të shpëtohej: nëse je Biri i Perëndisë, shpëtomë. Nëse nuk je, atëherë nuk je asgjë. Çfarë imazhi kemi për Perëndinë?
Sikurse e thashë, Krishti është duke shkuar gjithmonë tek Ati, tek ky Atë, jo te një atë tjetër, por te ky Atë. Po, e dimë që për shumë veta kjo mund të jetë pak skandalizuese. Të qëndrosh dhe të hash bashkë me mëkatarët. Nëse duam t’i japim përgjigje pyetjes së brendshme në jemi apo jo të krishterë, atëherë përgjigjen mund ta marrim mbi kriter: A mendoj se ata me të cilët jam ulur janë mëkatarë? Nëse mendoj që janë, atëherë mëkatari në të vërtetë jam unë. Kur Jezui ulej me ata njerëz, ai nuk qe ulur me mëkatarë, por me njerëz. Dhe njerëzit janë vetëm mëkatarë. Ai qe ulur me njerëz. Dhe mëkatarët shpëtohen, sepse ai qëndron me ne. Ne jemi ata me të cilët qëndron Krishti dhe Krishti është ky vëlla, që për mua nuk është mëkatar. Ai është Biri i Perëndisë. Është vëllai im.
“Se vëllai yt kishte vdekur e u kthye në jetë, kishte humbur e u gjet”. Gjithçka që më nevojitet tani është të gjej Atin, në mënyrë që të gjej edhe vëllain. Ai nuk është më mëkatari, por është vëllai im. Dhe festo. Jeto i lumtur. Ji moskokëçarës. Ji i lumtur. Me Perëndinë kjo mund të zgjatë përgjithmonë. Pa Perëndinë, katandisemi të ushqejmë derrat dhe të mos hamë dot as ato që hanë derrat.